23:53 / E Shtunë, 07 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Barcelona me spektakël mposht Mallorcan, Messi hat-trik

Barcelona ka fituar me rezultat 5-2 takimin ndaj Mallorcas të vlefshëm për javën e 16-të në La Liga.

Gjiganti katalunas është përkujdesur për fitoren e radhës në kampionat, duke rikthyer po ashtu pozitën e parë në tabelë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Barcelonës, të cilët arritën të shënojnë edhe tri gola, për dallim të një golit të shënuar nga Mallorca.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm shtatë minutave me anë të Antonine Griezmann, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të portierit Marc-Andre ter Stegen.

Në minutën e 17-të në skenë doli Lionel Messi, i cili shënoi një gol të bukur për 2-0, ndërsa Ante Budimir (35′) ngushtoi epërsinë në 2-1.

Messi u shfaq përsëri me një supergol në minutën e 41-të për 3-1, ndërsa Luis Suarez (43′) me një gol të rrallë me thembër dërgoi ekipin e tij në pushim me epërsinë 4-1.

Në pjesën e dytë, përsëri Barcelona ishte më e mirë duke sulmuar dhe menaxhuar mirë ndeshjen, por ishin mysafirët që shënuan të parët.

Budimir (64′) ishte përsëri shënues i mysafirëve për rezultat 4-2, ndërsa Messi (83′) kompletoi het-trikun dhe vulosi rezultatin përfundimtar 5-2.

Pas kësaj fitore, Barcelona gjenden në pozitën e parë me 34 pikë, po aq sa Real Madridi i dyti, ndërsa Mallorca renditet e 17-ta me 14 pikë.

Në takimin e radhës, katalunasit udhëtojnë te Real Sociedadi, ndërsa Mallorca udhëton te Celta Vigo.