15:08 / E Mërkurë, 24 Janar 2018 / indeksADMonline

Basha: Shqiptarët t’i bashkohen protestës së 27 janarit

Protesta e 27 janarit dhe sensibilizimi i qytetarëve për t’u bërë pjesë e saj, ishte kryefjala e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë takimit të tij ditën e sotme me strukturat e kësaj force politike në qytetin e Shkodrës.

Nga Shkodra, kryetari i PD, u shpreh i bindur se qeveria e paligjshme nuk ka për ti rezistuar bashkimit të shqiptarëve, të cilët do të marshojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në 27 janar.

“Nuk i rezistoi dot diktatura e jo kjo qeveri që e mbyllën 1200 naftëtarë në bunker. Çfarë do t’i bëjnë 12 mijë shkodranë, 120 mijë shqiptarë të bashkuar në sheshin e protestës më 27 janar? Do t’i thonë se koha jote ka marrë fund!”, u shpreh Basha.

Një nga arsyet se përse shqiptarët duhet të protestojnë shqiptarët, sipas Bashës është braktisja që qeveria i ka bërë atyre në këto 5 vite, duke u ndalur te raporti i Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, i cili sipas tij thotë se varfëria dhe pabarazia janë rritur në mënyrë të shfrenuar gjatë 5 viteve të fundit

Basha ftoi shqiptarët t’i bashkohen opozitës për të dhënë mesazhin kryesor se qeveria duhet të largohet dhe se shqiptarëve duhet t’u jepet mundësia të zgjedhin me votë të lirë një qeveri që e ka lidhur fatin me qytetarët dhe jo me krimin dhe oligarkët.