19:10 / E Hënë, 07 Dhjetor 2020 / OSH

Basha thirrje vendeve të BE-së: Jemi në gjendje të vështirë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, mori pjesë sot në Asamblenë Politike të Partive Popullore Europiane, që zhvilloi punimet online për shkak të pandemisë. Në fjalën e tij, Basha u ndal veçanërisht tek situata shëndetësore në vend dhe mungesa e sipas tij e masave për të menaxhuar pandeminë.

“Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të testimeve, çka e bën të pamundur në një anë identifikimin në kohë të të infektuarve me COVID-19 dhe trajtimin e tyre në mënyrë profesionale, dhe në anën tjetër shkëputjen e zinxhirit të infektimit.

Sot, numri i të infektuarve është rritur dhe shtrirë kudo, fatalitetet po ashtu, ndërsa kapacitetet spitalore janë ezauruar. Shqipëria vuan dhe mungesën e stafeve mjekësore, pasi ka numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve për banor” tha ai.

Për këto arsye, zyra e shtypit të PD-së, thotë se kryetari Basha ka kërkuar ndihmën e vendeve anëtare të BE, që janë pjesë e PPE, për të asistuar Shqipërinë me furnizimin me vaksina kundër COVID-19.

Shqipëria, tha Basha “ndodhet sot në krizë të thellë ekonomike, papunësia është rritur dhe shumica dërrmuese e qytetarëve nuk e përballojnë dot blerjen e medikamenteve anti-COVID, të cilat fatkeqësisht në Shqipëri, janë me çmime më të larta se në çdo vend tjetër”.

“Ndihma e vendeve tuaja me vaksina anti-COVID, në çfarëdo sasie që të jetë, është mëse e mirëpritur, dhe ne do t’ju jemi gjithmonë mirënjohës. Vendi im dhe qytetarët e mi, jane në një situatë tejet të vështirë, e cila sa vjen dhe po përkeqësohet. Prandaj, ju lutem na ndihmoni në këto kohë tejet të vështira” .

Kryetari Basha pati po ashtu biseda me përfaqësues të qeverive të vendeve anëtare të BE, ku kërkoi ndihmë për vaksinën anti-COVID, njofton zyra e shtypit të PD-së.

“Në Asamblenë Politike të PPE, një vend të veçantë zuri dhe klima e rënduar politike, e diktuar nga ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor nga ana e mazhorancës, e cila prishi dhe marrëveshjen e arritur me mbështetjen e partnerëve europianë dhe amerikan” mbyllet njoftimi i PD-së.