16:25 / E Martë, 25 Janar 2022 / AR

Bashkë me dy tjerë e rrahën një person me shkop druri, Gjykata në Prizren merr vendim për një person

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 24.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 24.02.2022, ndaj të pandehurit L.U., për shkak të dyshimit të bazuar se ka  kryer veprat penale sulm nga neni  184 par.2 lidhur me nenin 31, dhe asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

Me datë 22 janar 2022, në orët e mesnatë, në Prizren, ne bashkëveprim edhe me dy të pandehur të tjerë (të cilët aktualisht janë në arrati), me dashje përdorin forcën ndaj të dëmtuarit L.M., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje paraprake që kishin në mes veti, derisa i dëmtuari L.M., ishte i ndalur me automjetin e  tij, të pandehurit fillimisht tentojnë ta nxjerrin te dëmtuarin nga vetura, e me pas i pandehuri L.U., me një shkop druri e godet te dëmtuarin L.M., ne kokë dhe trup e me pas edhe dy të pandehurit tjerë e godasin me mjete te forta-shkop druri të dëmtuarin L.M., ne pjesë të ndryshme të trupit por që nuk i shkaktojnë dëmtime të dukshme trupore.

Me datë, kohë, vend të njëjtë si më lartë, i pandehuri L.U., dëmton pasurinë e personit tjetër, konkretisht automjetin e të dëmtuarit L.M., në atë mënyre që pas përfundimit të përleshjes fizike mes tyre, ne shenjë revolte me mjete të forta e godasin automjetin duke ia thyer xhamat, me ç’ rast me këtë veprim të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet penale janë në fazën fillestare, dhe me lënien në liri tët të pandehurit ekziston rreziku se i njëjti do të pengojë rrjedhën normale të kësaj procedure penale, gjithashtu duke marrë për bazë mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, ku i dëmtuari sulmohet me mjete të forta – shkop druri, dhe i pandehuri e duket e goditur në vazhdimësi, tregon vendosmërinë për të kryer veprën penale.

Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për zhvillimin e rregullt dhe normal të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.