22:55 / E Mërkurë, 19 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Baza e parë ajrore e NATO-s në rajon, Xhaçka: Investimi 50 mln eurosh në Kuçovë nis këtë vit

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në studion e Ilva Now në Euronews Albania tha se Ministerali i radhës i NATO që do mbahet në Shqipëri është në një farë mënyrë edhe shenjë besimi e aleatëve tek Shqipëria është vlerësim për rolin e Shqipërisë.

Kjo sipas ministres vjen ‘pas vendimit për të investuar në bazën e Kuçovës, për të bërë bazën e parë ajrore të NATOS në rajon, mbas konsiderimit shumë seriozisht të Pashalimanit si një bazë detare të NATO-s, apo për kontributin tonë për misionet dhe operacionet e NATOS, pa diskutim që ky është një vlerësim për rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe veçanërisht si faktor stabiliteti në rajon’.

“Në këtë moment jemi duke nënshkruar një marrëveshje teknike me agjencinë e specializuar pra NATOS për mbështetje dhe prokurimet. Ka një vit në fakt që kjo agjenci po harton masterplanin dhe projektin e detajuar ka përfunduar. Me lidhjen e marrëveshjes fillon menjëherë faza tjetër e ndërtimit edhe shumë shpejt në Kuçovë do të fillojë të dëgjohet zhurma e makinerive të rënda për ndërtimin. Është një investim i konsiderueshëm, është një investim, që e bën NATO pa diskutim, përmes fondeve kolektive. Është një investim që do të kapë të paktën 50 milionë euro, i cili do të fillojë këtë vit”, – tha ministrja, teksa shtoi se Ministria e Mbrojtjes i ka propozuar NATO-s që të marrë në konsideratë edhe bazën e Pashalimanit, edhe për shkak të gjeografisë së saj por edhe të avantazheve që ajo përbën, edhe për të investuar edhe atje një bazë detare

Ajo foli lidhur me reagimin e strukturave shtetërore pas tërmetit shkatërrues të 26nëntorit, duke hedhur poshtë të gjitha kritikat lidhur me kapacitet reaguese të vendit tonë, që sipas ministres mund të jenë deficitare, por kurrsesi nuk janë për t’u përqeshur.

“Ajo që vë re me kënaqësi është se pavarësisht frikës dhe traumës, ja kemi dalë të bëjmë një proces dinjitoz të vlerësimit të dëmeve, dhe duke pasur një vizion të qartë për rindërtimin. Këtë e mundësoi edhe konferenca e donatorëve me rezultatin surprizues që na mundësoi që vizionin ta vëmë në jetë dhe njerëzit të gjejnë zgjidhe përmes këtij projekti”, – tha Xhaçka.

Ministrja tha se meraku se mund të ishin shpëtuar më shumë jetë ekziston tek, ne siç ekziston edhe në vende më të zhvilluara, ndërsa shtoi se reagimi i Emergjencave Civile në vend ishte i menjëhershëm me gjithë deficitet që mund të kemi.

Xhaçka tha se që kur mori postin e ministres së mbrojtjes është bërë një reformim i thellë i emergjencave civile, duke e shndërruar atë në një agjenci të mirëfilltë me specialistë të mirëfilltë.

“Nga një drejtori “hot line” që për 30 vjet vetëm ka ngritur telefonin, në një agjenci të mirëfilltë me të gjithë specialistët e duhur. Në këtë pikë kemi bërë një reformë të thellë. Kemi ndryshuar ligjin për emergjencat civile. Pushteti lokal, nëse deri dje s’e kishte taksative, sot ligji e bën taksative këtë përgjegjësi, duke i ngarkuar edhe penalitetet nëse nuk merr masat”, – tha Xhaçka.