14:08 / E Martë, 10 Korrik 2018 / indeksADMonline

BE dhe Ballkani Perëndimor me të ardhme të përbashkët

Në Samitin e Londrës për Ballkanin Perëndimor, BE po vazhdon të forcojë bashkëpunimin me rajonin, me një përkushtim të qartë dhe masa konkrete, duke u fokusuar në tre fushat kyçe të bashkëpunimit ekonomi, siguri dhe pajtim.

Krerët e qeverive, ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm nga Ballkani Perëndimor së bashku me homologët e tyre nga disa vende anëtare të BE dhe përfaqësues të nivelit të lartë të BE po takohen në Londër për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit rajonal midis gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe midis rajonit dhe BE-së, për të avancuar procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Shefja e diplomacisë së BE-së Federica Mogherini tha se gjatë këtyre viteve është bërë shumë punë e përbashkët për afrimin e rajonit me BE-në në aspektin politik, ekonomik dhe siguri.

“Ne kemi parë rezultate të mrekullueshme, zgjidhje për çështjet më të vështira bilaterale. Ballkani Perëndimor po ecën vazhdimisht.  Sot ne rikonfirmojmë se jemi së bashku me rajonin në atë rrugë, duke ndarë përkushtimin ndaj së ardhmes sonë të përbashkët,” tha ajo.

Johannes Hahn, komisionari për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, dhe komisionari për Siguri, Julian King po marrin pjesë gjithashtu në samitin.

Në fushën e zhvillimit socio-ekonomik, fokusi do të jetë në zbatimin e mëtejshëm të planit të veprimit për të krijuar një Zonë Ekonomike Rajonale siç është rënë dakord në Trieste vitin e kaluar, e cila synon të rrisë atraktivitetin e rajonit për të inkurajuar investimet dhe nxitur tregtinë, duke krijuar kështu punë.

Diskutimet do të mbulojnë gjithashtu aftësitë digjitale, si një vazhdim i agjendës digjitale për Ballkanin Perëndimor të miratuar në qershor në Sofje.

Pjesëmarrësit do të shqyrtojnë mënyra për të rritur financimin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke përfshirë edhe mobilizimin e financimit jo-bankar.

Ata gjithashtu do të shkëmbejnë nevojën që rajoni të angazhohet në tranzicionin e tij energjetik dhe të shfrytëzojë më mirë potencialin e konsiderueshëm hidroenergjetik në rajon në mënyrë të qëndrueshme.

Për të mbështetur këto objektiva, Komisioni Evropian, në bashkëpunim me institucionet financiare partnere, po paraqet një instrument të ri të garancisë, i cili do të fillojë në fillim të vitit 2019 në kuadrin e investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Me një angazhim fillestar të BE-së deri në 150 milionë euro në 2019-2020, garancia do të synojë të lërë deri në 1 miliard euro investime në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik dhe integrimin rajonal.

Garancia do të lejojë ndarjen e rrezikut financiar për të zhbllokuar investimet private në një gamë të gjerë sektorësh si ndërmarrjet e reja dhe NVM-të, financimin e investimeve në infrastrukturë dhe klimë, si dhe sektorët digjitalë dhe socialë, duke trajtuar kështu pengesat kyçe që pengojnë qasjen në financa në rajon.

Ndryshe, samiti i Londrës është pjesë e procesit të Berlinit, një iniciativë nga disa shtete anëtare të BE që synon të mbështesë përpjekjet drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Samiti vjen pasi Komisioni Evropian botoi në fillim të këtij viti  strategjinë e tij “Për një perspektivë të besueshme të zgjerimit dhe për zgjerimin e angazhimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor”, Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor në Sofje më 17 maj dhe Këshilli Evropian i qershorit, të cilat konfirmojnë perspektivën e besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.