75 Mall Live Search
11:14 / E Martë, 14 Korrik 2026 / b l

BE-ja hap një tjetër kapitull negociues me Ukrainën, vendi një hap më afër anëtarësimit në BE

Kërkesa e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian shënoi një tjetër përparim të martën, pasi ministrat e Çështjeve Evropiane në Bruksel miratuan zyrtarisht hapjen e Kapitullit të 6-të të negociatave për anëtarësim.

“Ne kemi arritur sot një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE, duke hapur një tjetër kapitull kyç negociues,” deklaroi ministri irlandez i Shtetit, Thomas Byrne.

“Ky është një dëshmi e përkushtimit të vendit për të ecur përpara sa më shpejt të jetë e mundur”.

Irlanda, e cila mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, foli në emër të 27 shteteve anëtare gjatë diskutimeve.

Kapitulli 6 përfshin marrëdhëniet e jashtme dhe konsiderohet një nga temat kryesore të procesit të negociatave për anëtarësim në BE. Deri tani, për Ukrainën ishte hapur vetëm Kapitulli 1, i cili mbulon çështjet themelore dhe sundimin e ligjit.

Po ashtu, Kapitulli 6 pritet të hapet edhe për Moldavinë, pasi rrugët e anëtarësimit të dy vendeve në BE janë të lidhura.

Ndërkohë, disa kapituj negociues pritet të mbyllen për Shqipërinë dhe Malin e Zi, dy vendet më të avancuara të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit, në një ditë që është quajtur “Super e marta” e zgjerimit.

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha para takimit se “vrulli i krijuar sot duhet të shndërrohet tani në rezultate konkrete në terren”, shkruan Euronews-i.