08:34 / E Enjte, 18 Prill 2024 / MSH

BE-ja planifikon forcimin e sanksioneve ndaj Iranit

BE-ja ka rënë dakord të zgjerojë sanksionet ndaj prodhuesve iranianë të dronëve dhe raketave pas sulmit të paprecedentë të Teheranit ndaj Izraelit.

“Është shumë e rëndësishme të bëjmë gjithçka për të izoluar Iranin”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Blloku tashmë ka sanksione të shumta kundër Iranit, duke përfshirë shitjen e dronëve ndaj Rusisë për përdorim në luftën e saj kundër Ukrainës, shkruan BBC.

SHBA-ja ka lënë të kuptohet se do të vendosë dënimet e veta të reja në ditët në vijim.

Sanksionet e reja të BE-së u ranë dakord gjatë një samiti në Bruksel, i cili shënoi takimin e parë midis 27 liderëve të bllokut që nga sulmi i drejtpërdrejtë i Iranit ndaj Izraelit të shtunën, duke përfshirë më shumë se 300 raketa dhe dronë të lëshuar nga Irani, Iraku, Siria dhe Jemeni, të cilët kryesisht u rrëzuan nga Izraeli dhe aleatët e tij.

Teherani ka pohuar se ishte një hakmarrje për një sulm ajror të supozuar izraelit në konsullatën e tij në Siri më 1 prill, në të cilin u vranë 13 persona, transmeton Indeksonline.

Izraeli, deri më tani është kundërpërgjigjur në mënyrë diplomatike, megjithatë nuk përjashton mundësinë e një sulmi.

Por, liderët botërorë kanë vazhduar të bëjnë thirrje për përmbajtje, në një përpjekje për të parandaluar një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.