75 Mall Live Search
19:11 / E Shtunë, 09 Dhjetor 2023 / MSH

BE mirëpret nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever-it

Zëdhënësja për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, ka thënë se “BE-ja mirëpret nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet kompanisë energjetike të Kosovës KEDS dhe kompanisë së sapothemeluar sipas ligjit të Kosovës, Elektrosever”.

Sipas Massrali, kjo do të thotë se Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe.

“Lidhja e kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kjo do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”, thuhet në komunikatën e BE-së.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë, për të cilën u ra dakord në qershor 2022 në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE, duke mundësuar zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të 2013 dhe 2015”, ka shtuar BE-ja.

BE-ja ka përfunduar duke kërkuar që të gjitha Marrëveshjet e tjera të Dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të Zbatohen pasi sipas BE-së kjo është “në interes të normalizimit të marrëdhënieve” ndërmjet dy vendeve.