14:57 / E Mërkurë, 16 Dhjetor 2020 / Blerim

BE rregulla të reja strikte për Google, Facebook, Amazon dhe Apple

Komisioni Evropian ka hartuar një draft që synon të vendosë rregulla të reja për gjigandët e teknologjisë: Google, Facebook, Apple dhe Amazon.

Rregullat janë ende në proces vlerësimi në mënyrë që të jenë thuajse të gatshme për t’u aktivizuar në të gjithë botën.

Në këtë draft ekzistojnë dy grupe rregullash: Akti i Tregjeve Digjitale (DMA) dhe Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA).

DMA-ja pretendon të ketë në shënjestër kompanitë që kontrollojnë të dhënat dhe qasjen në platformat e tyre që bizneset dhe evropianët u besojnë punën e tyre.

Sipas “The Washington Post”-it, këto kompani mendohet të kenë më shumë se 6.5 miliardë euro qarkullim vjetor në Evropë në vetëm tre vjetët e fundit.

Ndërkohë vlera e tyre në treg në vitin 2020 ka arritur në shifrën e çmendur të 65 miliardë eurove.

Në draft, gjithashtu  përfshihet edhe pasja e më shumë se 45 milionë përdoruesve mujorë në Evropë dhe më shumë se 10.000 përdorues të fushës së biznesit. Kompanitë e tilla mund të jenë motorët e kërkimit në shërbime të tilla si Interneti, shërbimet e rrjeteve sociale, shërbime kompjuterike dhe shërbimet reklamuese.

Rregullat e reja të BE-së adresojnë një sërë çështjesh për këto kompani si për shembull ndarja e llojeve të caktuara të të dhënave me rivalët dhe rregullatorët, ndalimi i favorizimit të shërbimeve në platformat e tyre ose marrja e të dhënave nga platformat e tyre për të konkurruar me përdoruesit e tyre të biznesit.

Shkelësit e rregullave do të përballen me gjoba deri në 10% të qarkullimit të tyre vjetor global, ndërsa për ata që përsërisin shkeljen e rregullave parashikohen masa edhe më të ashpra.

Gjigandëve të teknologjisë u kërkohet të bëjnë më shumë për të trajtuar përmbajtje të paligjshme. Gjithashtu kompanive do t’u kërkohet të publikojnë detaje më të thella për reklamuesit e tyre online dhe të jenë transparentë në parametrat e përdorur nga algoritmet e tyre për renditjen e informacioneve që u paraqitet përdoruesve.

Ky draft nëse miratohet, do duhet disa vjet që të vendoset në funksion plotësisht.