11:15 / E Enjte, 14 Shtator 2023 / MSH

BE zgjat sanksionet ndaj Rusisë, për luftën në Ukrainë

Në një mbledhje të mbajtur dje, Këshilli i BË-së vendosi të zgjasë sanksionet ndaj Rusisë edhe për gjashtë muaj të tjerë, deri më 15 mars të vitit të ardhshëm.

Masat kufizuese ekzistuese parashikojnë kufizime të udhëtimit për personat fizikë, ngrirjen e aseteve dhe  ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve ose burimeve të tjera ekonomike për individët dhe subjektet e listuara.

“Sanksionet do të vazhdojnë të zbatohen për pothuajse 1800 individë dhe entitete gjithsej, shumë prej të cilave janë në shënjestër si përgjigje ndaj agresionit të vazhdueshëm ushtarak të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës” thuhet në njoftimin e BE-së.

Në kuadër të rishikimit të sanksioneve, Këshilli gjithashtu vendosi të mos rinovojë listat e katër individëve.

Pas 24 shkurtit 2022, në përgjigje të agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, Bashkimi Evropian zgjeroi masivisht sanksionet kundër Rusisë me synimin për të kufizuar ndjeshëm aftësinë e saj për të zhvilluar luftë, duke e privuar atë nga teknologjitë dhe tregjet kritike dhe duke dobësuar bazën ekonomike të Rusisë.