23:56 / E Martë, 27 Shtator 2022 / Gjelbrim

Befason Edi Reja: Jemi rritur shumë

Edi Reja vijon të përjetojë me qetësi gjithçka ndodh në Kombëtaren Shqiptare dhe pas barazimit zhgënjyes ndaj Islandës, drejtoi gishtin nga mungesat, duke gjetur sërish një shkak për dështimin.

Tekniku u shpreh se Shqipëria është rritur nën drejtimin e tij, por në vitin e fundit ka vuajtur mungesat e rëndësishme dhe gabimet e shpeshta të individëve.

Çfarë emri do t’i vinit këtij barazimi sot me Islandën?
Ishim në epërsi numerike dhe duhej të menaxhonim mirë ndeshjen, por nuk arritëm ta mbyllnim dhe më pas dihej që ata ishin më të fortë fizikisht. U zëvendësua Gjasula, sepse nuk ndihej mirë, por vetëm pak çaste më pas u dëmtua Ismajli dhe ne nuk kishim më zëvendësime. Kishim edhe mungesa të shumta, gati 7-8 lojtarë të rëndësishëm. Ata që luajtën dhanë më të mirën, por në fund mund të fitonim, nëse do të tregonim pak kujdes. Më vjen shumë keq, pasi e flakëm tutje këtë ndeshje dhe vijmë të flasim këtu për të njëjtat gjëra.

E keni nisur me Islandën dhe e mbyllni me Islandën, në pritje për të mësuar për të ardhmen tuaj. A mund t’i vendosni një notë eksperiencës tuaj te Shqipëria?
Nga ndeshja e parë me Islandën jemi rritur ndjeshëm, por natyrisht që këto kohët e fundit nuk kemi bërë shumë mirë. Kemi pasur mungesa të shumta të lojtarëve me eksperiencë, pro në total kemi bërë një rrugëtim të mirë. Së fundi skuadra nuk është përgjigjur në nivelin e pritshmërive.

Si ndjeheni kur skuadra vërshëllehet në fund të ndeshjes? Jemi në fund të kontratës, si do të jetë e ardhmja?
Më vjen shumë keq për vërshëllimat. Nuk e di, pasi kam kontratë deri në nëntor dhe më pas do të ulemi të flasim me presidentin. Do të diskutojmë dhe do të gjejmë zgjidhje për të ardhmen. Unë mendoj se kemi bërë një punë të mirë gjatë kësaj kohe, duke dhuruar edhe paraqitje të mira, por në kohët e fundit nuk kemi dhënë atë që mundeshim, këtu përfshij edhe veten time. Kemi pasur shumë mungesa dhe nuk kemi qenë aty ku duhet. Megjithatë t’i lëmë justifikimet, pasi kemi aktivizuar shumë të rinj, funksionalë për skuadrën dhe lojën e saj.

Cikalleshi tha se është gati të largohet i pari për të ndihmuar skuadrën të dalë nga kjo situatë…
Unë nuk kam asnjë keqardhje, pasi kam bërë një punë të mirë dhe jam munduar të ndihmoj skuadrën. Nuk jam unë problemi i Shqipërisë, pasi po të ishte kështu, presidenti do të ma kishte thënë. Unë jam munduar të përmirësoj qoftë individët, qoftë skuadrën. Ne sot ishim në epërsi numerike dhe duhej të mbyllnim ndeshjen, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë nuk është faji im. Ata kanë bërë 5 gjuajtje dhe katër prej tyre në kuadrat. Ne kemi bërë 22 gjuajtje dhe vetëm 4 në kuadrat, ndaj nëse nuk janë të zotët ta dërgojnë topin në rrjetë, nuk kam çfarë të bëj. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt.