75 Mall Live Search
23:31 / E Martë, 12 Maj 2026 / MSH1

Behrami mbështeti rikthimin e Limajt në PDK, ka një kërkesë për të

Ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami, deklaroi se ka mbështetur rikthimin e Fatmir Limajt në PDK.

Në një postim në Facebook, Behrami vlerësoi se emri i Limajt, si një prej themeluesve të partisë, do të pasuronte listën e saj për zgjedhjet e 7 qershorit.

“Dhe jam i bindur se këtë zë do ta dëgjojë edhe Fatmir Limaj, të cilin e ftoj të bëhet pjesë e fushatës për të realizuar ndryshimin e madh, përpara rikthimit të ish-krerëve të UÇK-së” shkroi Behrami.

Sipas tij, bashkimi duhet të ndodhë, herët apo vonë.

Ky është postimi i plotë i Behramit:

Këto ditë nuk kanë qenë të lehta për PDK-në, por as për mua personalisht. Kam qenë dhe jam mbështetës i madh i rikthimit të Fatmir Limajt në PDK.

Emri i tij si njëri nga ish-themeluesit e PDK-së do ta pasuronte edhe më shumë listën tonë.

Megjithatë, unë e respektoj vendimin e Kryesisë. I kam respektuar gjithmonë vendimet e partisë, edhe atëherë kur nuk jam pajtuar me to.

Sepse për mua, PDK-ja ka qenë dhe mbetet më e madhe se çdo individ.

Në këtë drejtim, mendoj që elektorati i PDK-së është dashur të dëgjohet më shumë në këtë proces.

Zëri i tyre ka qenë i sinqertë dhe thirrje për bashkim.

Dhe jam i bindur se këtë zë do ta dëgjojë edhe Fatmir Limaj, të cilin e ftoj të bëhet pjesë e fushatës për të realizuar ndryshimin e madh, përpara rikthimit të ish-krerëve të UÇK-së.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për bashkim, respekt dhe kthim te vlerat mbi të cilat është ndërtuar PDK-ja.

Asnjë parti politike nuk do ta kishte mbijetuar largimin e themeluesve të saj, siç e mbijetoi PDK-ja.

Asnjë elektorat nuk mund të luftojë çdo ditë kundër padrejtësive, siç luftoi e qëndroi elektorati i PDK-së.

Elektorati i PDK-së nuk u josh nga tezgat e shitblerjes së votave.

Nuk u lig përballë vendimeve të minutave të fundit për shpërndarjen e sadakasë.

Nuk u mposht nga shantazhet dhe kërcënimet për përjashtim nga puna në sektorin publik.

Nuk e uli kokën përballë fyerjeve, sharjeve, demonizimit, bullizimit dhe urrejtjes. Ata qëndruan krenarë dhe kokëlartë.

Dhe pikërisht për këtë, meritojnë respektin më të madh.

Bashkimi duhet të ndodhë, herët a vonë duhet të ndodhë