12:19 / E Martë, 20 Mars 2018 / indeksADMonline

Beqiri: Nuk mund t’iu bëjmë presion deputetëve të LDK-së për ta votuar Demarkacionin

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është ajo që e bllokon Demarkacionin.

Në një prononcim për Indeksonline, Beqiri ka theksuar se në rast se Demarkacioni dështon edhe kësaj radhe, faji është i partnerëve të koalicionit qeverisës.

Megjithatë, ai ka treguar se Lidhja Demokratike e Kosovës do ketë qëndrim të njëjtë edhe përkundër faktit se tani ata janë në opozitë.

“Se Lidhja Demokratike e Kosovës e bllokon Demarkacionin, kjo nuk qëndron. Po të ishte LDK ajo që e bllokon Demarkacionin do të ishte sjellë ndryshe dhe do kishte thënë ‘urdhëroni, bëni ju votat se ne nuk merremi me këtë çështje pasi jemi opozitë’. Sidoqoftë, ne si LDK e kemi pasur qëndrimin e qartë si atëherë edhe sot se të gjitha argumentet flasin se marrëveshja është në rregull dhe se ne do e votojmë. Nëse ndodh që kjo dështon ose nuk ka sukses, ta dinë të gjithë qytetarët se faji është te koalicioni qeverisë, sepse, ata duhet të sigurojnë shumicën  e votave, në mënyrë që disa vota të opozitës të mos jenë problem. Por, ata nuk janë në gjendje të sigurojnë një gjë të tillë”, ka deklaruar Beqiri.

Ai ka shtuar se po të mos ishte interesi i qytetarëve, shumëkush prej deputetëve të LDK-së nuk do e votonte ratifikimin e Demarkacionit.

“Po e theksoj se po të mos ishte interesi i qytetarëve dhe qëndrimi ynë si parti institucionaliste, me thënë të drejtën shumëkush prej deputetëve të LDK-se nuk do ta votonte. Kur bëhet fjalë për interes të qytetarëve, kështu si ne është dashur të sillen edhe subjektet e tjera politike edhe më parë, por ne nuk merremi me atë pjesë, ne e kemi parasysh interesin e qytetarëve.  Theksoj se Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë ka treguar gatishmëri për zgjidhjen e proceseve dhe e konsiderojmë shumë të padrejtë zhegitjen e deritanishme dhe mos ratifikimin e Demarkacionit deri më tash”, ka shtuar Beqiri.

Duke potencuar se LDK ka qëndrim se duhet të votohet Demarkacioni, Beiqiri ka shtuar se nuk mund t’iu bëhet presion deputetëve, duke arsyetuar kështu edhe deklaratën e deputetit Ramiz Kelemendi, se s’do marrë pjesë në seancën e sotme për Demarkacionin.

“Ne si LDK kemi qëndrim se duhet të votohet Demarkacioni, por nuk mund të them për individët ose deputetët, pasi është e drejtë e tyre. Nuk mund t’i bëjmë presion deputetëve. Mund të ketë ndonjë individ, siç është edhe rasti i z.Kelemendi i cili edhe ka deklaruar arsyet. Të jemi realist, ne së pari jemi njerëz dhe presione të tilla që iu kanë bërë atij, ashtu siç thotë ai, e tejkalojnë këtë gjë, pasi ka të bëj me rrezikimin e familjes siç dhe unë personalisht edhe e arsyetoj, se bëhet fjalë për familjen. Si do qoftë, nuk varet vota për Demarkacionin, nga vota e z.Kelemendi ose të një deputeti të LDK-së apo dikujt tjetër, por varet ekskluzivisht nga partnerët e koalicionit”, ka thënë ai.

Ndryshe, Ramiz Kelemendi ka deklaruar se i është kërcënuar familja, nëse ai do e votojë Demarkacionin.

Në këtë mënyrë, Kelemendi ka treguar se nuk do marrë pjesë në seancën e sotme, për Demarkacionin, për arsye shëndetësore./Indeksonline/