21:06 / E Shtunë, 24 Mars 2018 / indeksADMonline

Beqiri: Pa angazhimin e LDK-së s’do të ndodhte ratifikimi i demarkacionit

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka shënuar 28 vjetorin e themelit të saj në Obiliq. Në mungesë të kryetarit të kësaj partie Isa Mustafa, mori pjesë Ismet Beqiri, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, i cili tha se LDK është partia e parë në vend.

Beqiri ka lavdëruar punën e partisë së tij për ratifikimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, teksa ka shtuar se LDK do ta mbështesë edhe krijimin e ushtrisë në koordinim me miqtë ndërkombëtarë.

“Ishte angazhimi i LDK-së që të votohej marrëveshja për shënjimin e pikës kufitare me Malin e Zi, marrëveshje kjo e njëjta me atë të para tre vitesh për ta mundësuar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përkrahur dhe do të vazhdojë ta përkrah formimin e Ushtrisë së Kosovës por gjithmonë në koordinim me miqtë tonë ndërkombëtarë”, tha ndër të tjerash Beqiri.

Beqiri falënderoi të gjithë veprimtarët e LDK-së që i kontribuuan shumë kohërave dhe të gjithë aktivistët që sot po angazhohen që shpejt ta kthejnë Lidhjen Demokratike të Kosovës në qeverisje.

“Do të punojmë bashkërisht me shumë mund dhe angazhim që ta kthejmë Obiliqin dhe LDK-ja të udhëheq edhe në komunat tjera”, tha Beqiri.

Temat: