21:32 / E Diele, 22 Shtator 2019 / indeksADMonline

Berlusconi: Milani po më zhgënjen, fajin e ka Galliani

Silvio Berlusconi, ish-presidenti i Milan-it dhe presidenti aktual i Monza-s, skuadër e Serisë C që ka fituar 5 ndeshjet e para të këtij sezoni, ka dhënë një intervistë për Calciomercato.com:

“Është një rekord për Monza-n, e kemi nisur mirë”.

– Si ju është dukur derbi i së shtunës?

“Mos të flasim për Milan-in, të shikojmë drejt së ardhmes. Nuk kam arritur ta ndjek ndeshjen në televizor. Loja e kuqezinjve më ka zhgënjyer shumë “.

– Ju thatë se Milan-i e zgjodhi Giampaolo-n edhe falë këshillave tuaja…

“Jo, unë nuk e kam këshilluar, e ka këshilluar Galliani (ka thënë duke qeshur). Faji është i tiji. Jo, në të vërtetë nuk e kemi këshilluar as unë dhe as ai. E ka zgjedhur Milan-i dhe të gjithë mendonin se ishte një trajner shumë i mirë. Nuk e njoh, nuk mund të them asgjë për të”.

– Gjithmonë keni përfshirë një fantazist në skemën tuaj ideale. Ju bind Suso?

“Është një kampion i madh, duhet të luajë si sulmues i dytë ose mbrapa dy sulmuesve, por duhet të marrë vazhdimisht topa, gjë që nuk ka ndodhur deri tani”.