15:34 / E Martë, 23 Shkurt 2021 / Blerim

Betim Halimi flet për Yaya Toure: Është privilegj i madh me pas në skuadër një legjendë

Ta kesh në skuadër një legjendë të futbollit është një ëndërr për çdo lojtar të ri. Këtë kënaqësi e ka portieri i Kombëtares së Kosovës, Betim Halimi – i cili ka si ndihmës trajner ish-lojtarin e Manchester Cityt, Yaya Toure.

Në një intervistë për IndeksOnline, Halimi tregon se është i privilegjuar që ka në ekip një njeri si Yaya. Ai po ashtu tregon se si ish-lojtari i Barelonës ka një thjeshtësi të madhe, përkundër që ka fituar shumë tituj, përfshi UEFA Champions League dhe Premierligën.

“Person i jashtëzakonshëm. Motivues shumë i madh, person shumë i thjeshtë. S’po mundem me besu që një lojtar si Toure që ka luajtur në super ekipe dhe me pas kaq shumë thjeshtësi. Mundohet me na ndihmua edhe individualisht edhe si grup. Na shpjegon shumë mënyra taktike qysh me qarkullu topin më shpejtë, e shumë gjëra të tjera. Jemi shumë të lumtur që e kemi një person si Yaya në ekipin me na këshillu dhe është shumë privilegj i madh”, ka thënë Betim Halimi për IndeksOnline.

Kujtojmë që Yaya përveç Barcelonës dhe Manchester Cityt ka luajtur edhe në skuadrat, si: Olympiacos, Monaco dhe Qingdao Huanghai.

Toure si asistent te skuadra e Olimpik Donetsk e nisi gjatë janarit të këtij viti.

Përveç tri Premierliga, dhe një UEFA Champions League, Toure me Barcelonën fitoi edhe dy tituj të La Ligas./IndeksOnline/