13:13 / E Premte, 23 Tetor 2020 / OSH

Bideni fajëson Trumpin për 220 mijë vdekjet, nga Covidi-19

Presidenti Donald Trump dhe ish-zv.presidenti  Joe Biden u përballen për herë të fundit, 10 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve në Amerikë.

Aplikimi i rregullave të reja kundër replikimit të vazhdueshëm bëri që debati i fundit presidencial të ishte më pak i zhurmshëm se i pari dhe secili kandidat të sqaronte platformën e tij politike.

Pandemia e koronavirusit hapi sesionin e pyetjeve dhe demokrati Biden fajësoi kreun e shtetit për vdekjen e mbi 220 mijë amerikanëve nga muaji janar, por republikani Tramp kundërshtoi.

“Kjo sëmundje e tmerrshme që na erdhi nga Kina në fakt parashikohej të vriste 2,2 milionë njerëz. Por ne do ta kemi gati vaksinën brenda pak javëve dhe atëherë virusi do të largohet.”

Dy rivalët adresuan çështjen e evazionit fiskal kur presidenti Trump ishte dikur biznesmen dhe pretendimet se edhe rivali, Biden, ka përfituar miliona nga lidhjet e biznesit me djalin e tij.

Pretendenti demokrat ndau pikëpamjet politike për temat si shërbimi shëndetësor, ekonomia, emigracioni, kriza klimatike dhe ndryshimet në kodin penal nëse ai fiton presidencën.

“Mendoj se shërbimi shëndetësor nuk është privilegj por një e drejtë, ndaj do ta bëjmë shumë të përballueshëm për këdo. Për sa i përket varfërisë, me mua, çdo punonjës do marrë minimalisht 15 dollarë ora. Edhe shtetet amerikane nuk do i ndajmë më sipas ngjyrave politike.”

Trumpi u përgjigj se këto po të donte rivali i tij mund t’i kishte arritur më parë përderisa ka 47 vjet në politikë.

Dy kandidatët për presidencën e ardhshme debatuan edhe për politikat sociale dhe si ata synojnë ta përbashkojnë popullin e përçarë këta muaj nga protestat kundër racizmit.

Bideni u përgjigj se racizmi është i përhapur në nivelin institucional dhe ai do punonte për ta ndrequr këtë problem.

Mediat amerikane thanë se nga debati i së enjtes fitues doli sërish demokrati Biden.

77-vjeçari kryeson edhe sondazhet përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit, megjithëse 74-vjeçari Trump ka premtuar një fitore suprizë njësoj si 4 vjet më parë.