20:56 / E Shtunë, 16 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

“Bitcoin” shënon rekord të ri, ja me sa dollarë vlerësohet monedha virtuale

Një tjetër rekord është shënuar sot nga monedha virtuale “Bitcoin” e cila u vlerësua me 18.154 dollarë sipas CoinMarketCap.com.

Me gjithë shqetësimet për rrezikun e investimit në monedhat tejet të luhatshme, “Bitcoin” u rrit me 9 për qind.

Që nga fillimi i vitit monedhat është rritur me 1,700 për qind duke bërë që shumë institucione të besojnë se është një flluskë financiare e cila mund të shpërthejë në çdo moment.

80 për qind ishte rritja më e lartë e kapur në muajin dhjetor. Por përtej tregut të kriptomonedhave, shqetësimet rriten dita ditës si rezultat i parasë së shumtë që po hidhet në këtë drejtim.

Një studim nga Universiteti Anglia Ruskin, Universiteti i Dublinit dhe Kolegji Trinity në Dublin thotë se bitcoin përbën kërcënim për stabilitetin financiar të parasë tradicionale dhe tregjeve.

“Gjetjet tona arrijnë në konkluzionin se çmimi i Bitcoin është fryrë artificialisht nga investimet spekulative,” tha një prej autorëve të studimit.

BBC raportonte të enjten se shefi i institucionit më të lartë financiar Britanik kishte paralajmëruar blerësit e monedhës se duhej të bëheshin gati për të humbur të gjitha paratë.

Ndërprerjet e shumta të shërbimit të disa prej bursave më të mëdha në botë të kësaj monedhe duke lënë qindra mijëra investitorë pa akses në fondet e tyre ka vënë në dyshim infrastrukturën e tregut.

Ndërkaq, zyra e patentave dhe e markave të regjistruara në SHBA i dha Bankës së Amerikës një patentë për të hapur një shtëpi shkëmbimi të kriptomonedhave për klientët e saj, njofton PCW.