16:41 / E Shtunë, 23 Korrik 2022 / OSH

Blegtorët nga Durrësi shkojnë në Kukës për të shitur bagëtitë: Nuk i mbajmë dot

Shtrenjtimi i çmimeve të lëndëve ushqyese për kafshët dhe mungesa e subvencioneve i kanë detyruar blegtorët të shesin bagëtitë. Në tregun e gjësë së gjallë në Kukës, përveç vendasve, kanë shkuar për të shitur gjënë e gjallë edhe blegrorët nga Durrësi, të cilët tregojnë se e kanë të pamundur të kujdesen për to.

Duke qenë se zonat verirore jetojnë kryesit me blegtori, një fermer nga Durrësi, ka zgjedhur tregun e gjësë së gjallë në Kukës për t’i shitur.

Nuk ka lek populli, zero, 35 mijë lekë një kuintal Hime. Do t’i heq. S’kam mundësi t’i mbaj, nuk mbahen. Përpara 10 vitesh merrja subvencion. Punëtori s’ka. Të marrësh punëtorin duhen 20 mijë lekë. Shijaku ka pasur 1000 krerë lopë, sot të katër rrugët nuk gjen as kater”, thotë një fermer

Fermerët tregojnë se shtrenjtimi i çmimeve të lëndëve ushqyese për kafshët dhe mungesa e subvencioneve janë disa nga arsyet që i detyrojnë fermerët të marrë këtë vendim.

“Ka shumë arsye. Janë ngritur çmimet. Ushqimin e marrim në Kosove, është shtrenjtë. Të rinjtë kanë ikur, ne s’kemi takat”, tregon një fermer.

Kukësi renditet ndër një nga zonat me numrin më të lartë të krerëve në blegtori, për vetë pozitën gjeografike e mundësitë e natyrës për të zhvillimin e këtij sektori, por vitet e fundit numri i fermrëve që po merren me mbarshtimin e gjësë së gjallë është në rënie, pasi kostoja e tyre është shumë e lartë. Për këtë arsye fermeret kërkojnë mbështetje nga shteti për të mos humbur ekonominë e tyre familjare.