16:24 / E Premte, 06 Tetor 2017 / indeksADMonline

Blerim Shala, këshilltar i Hashim Thaçit

Blerim Shala, ish –Nënkryetari i AAK’së dhe ish- deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili së voni ka mbajtur postin e koordinatorit për bisedime me Serbinë, tash e tutje do të jetë pjesë e Zyrës së Presidentit, në cilësinë e këshilltarit politik të Hashim Thaçit.

Kështu kanë konfirmuar për Gazetën Express, zyrtarë të Presidencës.

Dialogu Kosovë –Serbi tashmë ka kaluar në nivel presidencial mes Thacit dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuciq. Por, nga zyra e Presidentit mohojnë se Shala do të ketë ndonjë rol në dialogun me Serbinë, duke thënë se do të jetë, asgjë më shumë se këshilltar.

Pos me dialog, Shala ka mbajtur edhe pozitën e deputetit të Parlamentit të Kosovës. Ishte larguar nga AAK kur nuk kishte pranuar të tërhiqej prej dialogut me Serbinë, pasi një gjë të tillë ia kishte kërkuar Ramush Haradinaj. Deri në atë kohë kishte mbajtur pozitën e Nënkryetarit të Parë të AAK’së.

Në fushatën e fundit zgjedhore, Shala është anëtarësuar dhe është bërë anëtar i thjeshtë i PDK’së, duke marrë librezën e kësaj partie nga Kadri Veseli.