Këshilltari i Presidentit tregon se çka i tha të dielën Thaçi Mogherinit
Këshilltari i presidentit Thaçi, Blerim Shala ka thënë se pranimi në OKB do të varet nga Këshilli i Sigurimit dhe se nuk varet nga ndonjë vend i BE-së siç është Spanja.
“Pranimi i Kosovës në OKB do të varet nga Këshilli i Sigurimit dhe jo nga Spanja”, ka thënë Shala, duke shtuar se Spanja nuk ka problem me Kosovën por me Kataloninë.
Ai në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se nga pesë shtetet e BE-së Spanja ka gjasa prapë të mos na pranojë shtetësinë për shkak të problemeve të brendshme.
“Kina, sipas Ahtisarit ka thënë se Kosova është problem evropian, dhe se ajo nuk do e përdorë të drejtën e vetos, por Rusia ka thënë se derisa Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës as ne nuk e pranojmë atë status. Nga pesë shtetet e BE-së Spanja prapë mund të mos na pranojë, sepse ka problemet e saja të brendshme”.
“Nëse na pranojnë katër nga pesë shtetet e BE-së, ne mund ta marrim statusin e vendit kandidat, të hyjmë në NATO, të fillojmë bisedimet për integrime në BE”, ka thënë më tej Blerim Shala.
Ish-koordinatori politik i palës kosovare në bisedimet Kosovë- Serbi, ka thënë se njohja formale nga Serbia ka vlerë kapitale për Kosovën.
“Njohja formale nga Serbia ka vlerë kapitale për ne. Por ne duhet të pajtohemi se po synojmë të arrijmë këtë njohje”, është shprehur Blerim Shala.
“Qëndrimi zyrtar nga presidenti Thaçi, është që ne kërkojmë njohjen formale nga Serbia. Këtë ia ka thënë zonjës Mogherini të dielën”, ka përfunduar Blerim Shala, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi.