09:40 / E Shtunë, 19 Qershor 2021 / B O

Bllokohen 22 plazhe në Vlorë për mungesë të rojeve bregdetare

22 pika plazhesh janë bllokuar në Vlorë, pasi nuk kishin roje bregdetare. Ditën e djeshme janë bllokuar 15 plazhe, ndërsa sot 7. Gjatë gjithë këtyre ditëve Policia Bashkiake ka qenë në aksion për një fushatë sensibilizuese dhe sot ka bllokuar disa plazhe ku mungonin rojet.

Këtë sezon nuk do të tolerohen plazhe që janë konstatuar pa vrojtues plazhi, pasi është detyrim ligjor. Edhe këtë verë në vendin tonë do të ketë një protokoll të masave anti-COVID për sezonin turistik. Maska dhe dezinfektues sipërfaqësor, mund të jenë në dispozicion për vizitorët kundrejt një marrëveshje paraprake mes sipërmarrjes dhe pushuesve/ vizitorëve.

Në protokollin e ministrisë së Turizmit për sezonin turistik kërkohet që hapësira midis çadrave nuk duhet të jetë më e vogël se 3.5 m në linjë horizontale me vijën e ujit, si dhe jo më e vogël se 3.5 m në linjë vertikale me vijën e ujit.

Në plazhe duhet të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm çdo ditë në mënyrë periodike. Në vendim theksohet se tavolinat në “beach bar” duhet të kenë distancë 2 m larg njëra tjetrës. Hapësira nga çadra në çadër nuk duhet të jetë më e vogël se 3.5 m. Në dispozicion të pushuesve duhet të kenë 1 dush me ujë të ëmbël për çdo 100 çadra, i cili duhet të pajiset me sapun, xhel higjienizues.