15:40 / E Shtunë, 29 Shtator 2018 / indeksADMonline

Bogujevci nga protesta: Serbia ma mori familjen por jo kujtesën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe e mbijetuara e masakrës në familjen Bogujevci, Saranda Bogujevci ka mbajtur fjalimin e parë në protestën që po mbahet në sheshin “Skënderbeu”.

Bogujevci tha se Serbia ja mori familjen por jo edhe kujtesën. Dhe kjo kujtesë sipas saj tregon se Serbia ka marrë shumë prej Kosovës ndërsa presidenti Hashim Thaçi po sillet sikur Kosova i ka borxh Serbisë.

“Ma morën familjen por nuk arritën të ma marrin kujtesën, e kaluara nuk do të harrohet nga asnjëri nga ne e duhet çdo ditë të dokumentohet…kjo histori nuk është vetëm e jona por e secilit në këtë vend. Dua që qytetarët e këtij vendi të trajtohen me dinjitet për të drejtën e tyre si qenie njerëzore.

Është derdh gjak me dekada për të mbrojtur territorin e Kosovës dhe sot e asnjë ditë pas të sotmes nuk duhet të lejojmë që një njeri të vendos për të ardhmen e një vendi”, ka thënë ajo.

Sipas saj Thaçi i ka dhënë të drejtë vetës që të flas në emër të një vendi, duke bërë pazare pa pyetur qytetarët.

”I jep të drejtë vetës që në emër tonë të promovojë shembim territoresh në mes të Kosovë dhe Serbisë. Serbia ka mjaft shumë prej neve në njerëz dhe për mua është shumë e dhimbshëm  kur presidenti Thaçi sillet sikur ne i kemi borxh Serbisë Po duhet të ecim përpara por jo të bëjmë këtë me kompromise me vendin dhe popullin tonë, mjaft më kemi duruar ky njeri duhet të shkojë sepse ka dëshmuar që nuk e do vendin e vet dhe nuk është duke punuar për popullin e vet por ka dëshmuar që e do vetëm vetën e vet dhe pushtetit. Që nga sot pres nga secili qytetar i këtij vendi që të tregojë guximin dhe trimërinë që e ka pasur që nga fëmijëria dhe dua nga secili prej jush të kthejë ndenjen e guximit sepse me atë guxim e  kemi arrit lirinë dhe sot prej këtij momenti në këtë shesh”, ka thënë Bogujevci.