13:21 / E Hënë, 05 Korrik 2021 / Ensar Ramadani

BQK: Ekonomia e Kosovës ka shënuar rënie prej 3.9 për qind në vitin 2020

Si pasojë e COVID-19, Kosova gjatë vitit 2020 ka përsur rënie në ekonomi deri në 3.9 për qind.

Kështu thuhet në raportin e publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) për vitin që lamë pas.

Në këtë raport janë të përfshira të gjitha zhvillimet e vitit 2020, të cilat u shoqëruan me rrethanat e reja shkaku i pandemisë Covid-19.

Përkundër sfidave të krijuara nga pandemia BQK-ja ka arritur të përmbushë me sukses agjendën e saj kushtetuese dhe ligjore. Falë veprimeve të ndërmarra, kemi arritur që sektorin financiar ta mbajmë stabil, të qëndrueshëm dhe konkurrues, si dhe me trend rritës. Këto zhvillime kanë mundësuar mbështetjen efikase të ekonomisë së vendit nga sektori financiar, ulje të vazhdueshme të kostos së ndërmjetësimit financiar, rritje të besimit të qytetarëve në sektorin financiar, si dhe rritje të interesimit të investitorëve të huaj në këtë sektor.

Që në ditët e para të masave kufizuese, BQK-ja aktivizoi Ekipin e Vazhdimësisë së Punës, i cili kishte për detyrë të monitorojë dhe të japë udhëzime që sigurojnë mbarëvajtjen e funksioneve të BQK-së dhe të sistemit financiar në përgjithësi.

Me qëllim të ballafaqimit në mënyrë sa më efektive me kushtet e krijuara, BQK-ja në vazhdimësi është koordinuar me të gjitha institucionet e Kosovës, institucionet financiare në Kosovë, odat ekonomike, si dhe institucionet financiare ndërkombëtare, duke mbajtur takime shumë të shpeshta për të siguruar ndërmarrjen e masave adekuate dhe në kohën e duhur kundrejt nevojave të ekonomisë.

Si rezultat i komunikimeve tona të vazhdueshme është aprovuar RFI (Rapid Financing Instrument) nga FMN-ja, në shumë prej 52 milionë eurosh për të mbuluar nevojat urgjente dhe të përkohshme të bilancit të pagesave si rezultat i pandemisë COVID -19. Po ashtu, pas koordinimit me bankat qendrore të regjionit, Banka Qendrore Evropiane ka aprovuar kërkesën e BQK-së për të vendosur një linjë financimi repo në shumë prej 100 milionë eurosh. Kjo linjë e financimit i mundëson BQK-së të huazojë likuiditet në valutën euro nga Eurosistemi, për t’i adresuar nevojat e mundshme të likuiditetit për institucionet financiare në Kosovë në rast të mosfunksionimit të tregjeve për shkak të pandemisë COVID-19.

Duke parë se ekonomia e vendit po hynte në një krizë të theksuar, ku bizneset dhe qytetarët po ballafaqoheshin me vështirësi të mëdha financiare, BQK-ja duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në bashkëveprim me institucionet kredidhënëse në Kosovë, ndërmori një varg masash për të ndihmuar ekonominë, që të përballojë në mënyrë sa më të lehtë sfidat e kësaj krize. Këto masa fillimisht konsistuan në aplikimin e moratoriumit për pagesat e kredive pa asnjë masë ndëshkuese për të gjithë huamarrësit, që janë ndikuar negativisht nga pandemia.

Masat e ndërmarra nga BQK-ja u vlerësuan si shumë adekuate, si nga publiku vendor, ashtu edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e Artikullit IV për Kosovën, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian.

Kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë ishte shumë i rëndësishëm edhe në aspektin e vazhdimit të kreditimit, përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve me të cilat u ballafaquan bankat dhe në të njëjtën kohë, të mbajë nivele të larta të likuiditetit dhe mjaftueshmërisë së kapitalit.

Sektori bankar vazhdon të ketë cilësi të mirë të portofolit kreditor me nivel të kredive joperformuese prej 2.7 përqind. Sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe atyre financiare jobankare gjithashtu ka vazhduar të ketë një ndikim të rëndësishëm në kreditimin e ekonomive familjare dhe bizneseve të vogla.

Sektori pensional në vitin 2020 u karakterizua me ngadalësim të theksuar të rritjes krahasuar me vitin paraprak, derisa në ngadalësimin e rritjes së aktivitetit të sektorit pensional ndikoi tërheqja e 10 përqind të mjeteve të Trustit nga kontributdhënësit, në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Për më tepër edhe kthimi negativ në investime gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 (si rezultat i efekteve të Covid-19 në ekonomi dhe tregjet financiare), ndikoi në ngadalësimin e aktivitetit të sektorit pensional. Por, humbjet e shkaktuara gjatë tremujorit të parë u kompensuan gjatë tremujorëve vijues, me kthim bruto në investime prej 160 milionë euro. Rrjedhimisht, sektori mbylli vitin me kthim pozitiv bruto nga investimet prej 72.3 milionë eurosh, pavarësisht përballjes me sfidën e shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Sektori i sigurimeve vazhdoi të ketë përmirësim që evidentohet me rritjen e shfrytëzimit të produkteve të sigurimeve në ekonominë tonë, ku asetet e sektorit të sigurimeve, në vitin 2020 përfaqësuan 2.8 përqind të gjithsej aseteve të sistemit financiar me një rritje vjetore prej 11.6 përqind, duke ruajtur nivelin e rritjes së vitit të kaluar që ishte në nivelin prej 11.8 përqind.

Ekonomia e Kosovës vlerësohet të ketë shënuar rënie prej 3.9 përqind në vitin 2020. Gjatë vitit 2020, ekonomia e Kosovës vazhdoi të ketë stabilitet fiskal dhe të çmimeve. Borxhi publik në vitin 2020 ka arritur në 1.5 miliardë euro apo në 21.8 përqind të BPV-së. Niveli i përgjithshëm i çmimeve në Kosovë, shprehur nëpërmjet indeksit të çmimeve të konsumit ka shënuar normën prej 0.2 përqind në vitin 2020. Lëvizja e çmimeve në Kosovë vazhdon të përcaktohet kryesisht nga lëvizja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si pasojë e varësisë së lart të ekonomisë së Kosovës nga importet. Sistemi financiar, përkundër vështirësive të shkaktuara nga situata pandemike, vazhdon të jetë stabil dhe të ketë rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës.