Dorëzohet në Kuvend Raporti Vjetor i BQK-së për vitin 2025: Theksohet stabiliteti financiar
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i dorëzoi Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh U.D. Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2025. Dorëzimi i Raportit Vjetor në Kuvend është bërë në përputhje me dispozitat e neneve 28 dhe 59 të Ligjit 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, Guvernatori Ismaili e njoftoi Kryetaren Haxhiu për përmbajtjen kryesore të Raportit Vjetor 2025, i cili pasqyron aktivitetet, zhvillimet dhe rezultatet e BQK-së në përmbushje të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor për ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e integritetit të sistemit financiar, mbrojtjen e interesit publik dhe sigurimin e qëndrueshmërisë institucionale.
Raporti konfirmon se ekonomia e Kosovës dhe sistemi financiar kanë ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë gjatë vitit 2025, pavarësisht sfidave nga mjedisi i jashtëm ekonomik dhe gjeopolitik. Sistemi financiar vazhdoi zgjerimin e qëndrueshëm, sektori bankar mbeti mirë i kapitalizuar dhe me likuiditet të lartë, ndërsa cilësia e portofolit kreditor u ruajt në nivel të mirë.
Kryetarja Haxhiu u informua gjithashtu për reformat dhe iniciativat kryesore të realizuara gjatë vitit 2025, përfshirë avancimin e kornizës makroprudenciale dhe mbikëqyrëse, harmonizimin e kornizës rregullative me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, zhvillimin e mëtejmë të sistemit të pagesave, përgatitjet për integrimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) si një proces me përfshirje ndër-institucionale, avancimin e projektit për pagesa të menjëhershme përmes TIPS Clone, si dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e konsumatorëve, edukimin financiar dhe gjithëpërfshirjen financiare.

Në kuadër të Raportit u prezantuan edhe zhvillimet në fushën e inovacionit financiar, integritetit të valutës euro, menaxhimit të parasë së gatshme dhe formalizimit të ekonomisë, si dhe aktivitetet e BQK-së në planin ndërkombëtar. Gjatë vitit 2025, BQK forcoi pjesëmarrjen në forume rajonale dhe ndërkombëtare, zgjeroi bashkëpunimin përmes asistencave të ndryshme teknike dhe avancoi menaxhimin e rezervave ndërkombëtare, në mbështetje të reformave dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare.
Raporti Vjetor përfshin edhe pasqyrat financiare të audituara të BQK-së për vitin 2025, të cilat kanë marrë opinion të pamodifikuar nga auditori i jashtëm. BQK realizoi rezultat financiar pozitiv prej 24 milionë euro, i cili, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi, ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet Buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rezervave të BQK-së, duke kontribuar në financat publike dhe në qëndrueshmërinë financiare afatgjatë të institucionit.

Me këtë rast, Guvernatori Ismaili falënderoi Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore për bashkëpunimin dhe mbështetjen në agjendën reformuese dhe integruese, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Kuvendit në harmonizimin e legjislacionit dhe përkrahjen në hapat e radhës.
BQK, si institucion i pavarur kushtetues, mbetet e përkushtuar të veprojë me profesionalizëm, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale, në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar, forcimit të integritetit të sistemit financiar, avancimit të reformave dhe mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës.

