08:53 / E Martë, 10 Nëntor 2020 / OSH

Brazili ndal testimet e vaksinës kineze, për koronavirusin

Testimet klinike braziliane për një vaksinë kineze për koronavirusin janë pezulluar pasi autoritetet kanë raportuar për një “incident të rëndë”.

Qendra rregullatore për shëndetësi në Brazil, Anvisa, ka thënë se incidenti është regjistruar, më 29 tetor, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi.

Testimet e fazës së fundit të vaksinës së kompanisë “Sinovac” janë duke u kryer edhe në Indonezi dhe në Turqi.

Deri tani, asnjëri shtet nuk ka raportuar pezullim të testimit.

Vaksina e kompanisë “Sinovac” është një prej shumë vaksinave që po testohen në fazat e tyre finale.

Mirëpo Kina veçse ka nisur t’i imunizojë mijëra persona.

Deri tani nuk ka pasur ndonjë përgjigjje nga “Sinovac”-i.

Brazili është një prej shteteve të prekura më së keqi nga koronavirusi, meqë ka regjistruar më shumë se 5.6 milionë raste, e treta në renditje botërore pas Shteteve të Bashkuara dhe Indisë.

Autoritetet braziliane kanë raportuar edhe 163.000 viktima, sipas të dhënave të universitetit “Johns Hopkins”.

Dimas Covas, udhëheqës i insitutit mjekësor “Butantan”, që po kryen testimet në Brazil, u ka thënë mediave lokale se pezullimi i testimeve është bërë për shkak të një vdekjeje.

Megjithatë, ai ka insistuar se vdekja nuk ishte e lidhur me vaksinën, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.