14:52 / E Enjte, 11 Mars 2021 / OSH

Britania e Madhe mbron vaksinën AstraZeneca, pasi Danimarka pezulloi përdorimin e saj

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka mbrojtur vaksinën “Oxford-AstraZeneca Covid-19: pasi Danimarka pezulloi përdorimin e vaksinës, raporton “The Guardian”, transmeton IndeksOnline.

Zëdhënësi i kryeministrit Boris Johnson u tha gazetarëve se “ne kemi qenë të qartë se është edhe e sigurt dhe efektive … dhe kur njerëzve u kërkohet të paraqiten dhe ta marrin atë, ata duhet ta bëjnë këtë me besim. Dhe në fakt ju po filloni të shihni rezultatet e programit të vaksinës në lidhje me numrin (më të ulët) të rasteve që po shohim në të gjithë vendin, numrin e vdekjeve, numrin e shtrimeve në spital”.

Ai vuri në dukje se Danimarka kishte theksuar se nuk kishte asnjë lidhje të konfirmuar midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut.

I pyetur nëse këshilltarët mjekësorë dhe shkencorë të Qeverisë së MB-së ishin në kontakt me Danimarkën, zëdhënësi i Downing Street-it tha se ishte “praktikë e rregullt” që ekspertët të shkëmbenin informacione me homologët ndërkombëtarë./IndeksOnline/