08:26 / E Mërkurë, 06 Shtator 2023 / L K

Britania pritet të shpallë Wagner organizatë terroriste

Mbretëria e Bashkuar pritet së shpejti të shpallë grupin e mercenarëve të Wagner si organizatë terroriste. Kjo nënkupton mes të tjerash se do të jetë e paligjshëm të jesh anëtar apo të mbështesësh organizatën.

Shumë shpejt drafti do të kalojë në parlament dhe nëse ai do të votohet do të lejojë që dhe pasuritë e mercenarëve të Wagner të kategorizohen si të ardhura nga terrorizmi dhe për pasojë dhe të sekuestrohen.

Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman e cilësoi grupimin si të dhunshëm dhe shkatërrimtar dhe një mjet ushtarak në duart e Vladimir Putin.

“Vijimi i aktiviteteve destabilizuese të Wagnerit vetëm sa vazhdojnë t’i shërbejnë qëllimeve politike të Kremlinit. Ata janë terroristë”, u shpreh mes të tjerash Braverman./abcnews.al/

Wagner ka luajtur një rol kyç në pushtimin rus të Ukrainës si dhe në operacionet ushtarake në Siri dhe vende të ndryshme në Afrikë, duke përfshirë Libinë dhe Malin. Luftëtarët e saj janë akuzuar për një sërë krimesh duke përfshirë vrasjen dhe torturimin e qytetarëve ukrainas.