20:07 / E Diele, 08 Tetor 2017 / indeksADMonline

Buffon kujton thënien e Vaso Pashës: “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”

Gianluigi Buffon mbetet madhështor, në fushë ku vendos rekorde, por edhe jashtë saj me vëmendjen që i kushton detajeve.

Një prej tyre është edhe përshtypja që i ka lënë Shqipëria pas më tepër se dy dekadave distancë, kur si një talent i së ardhmes erdhi të luante me Parmën në fushën e Teutës.

“Kam qenë në Shqipëri thuajse 23 vjet më parë, pasi kam luajtur me Parmën ndaj Teutës. Kjo është hera e dytë që vij në vendin tuaj. Kanë kaluar shumë vjet, por më duket sikur Shqipëria po evoluon, është bërë një vend i bukur dhe me njerëz optimistë. Kjo më lumturon, sepse në fund fatet e Shqipërisë dhe Italisë janë ndërthurur gjatë historisë”.

Histori, të cilën kapiteni legjendar i Italisë e njeh deri në detaje mahnitëse. Ashtu si qëndrimin e rilindasit Vaso Pasha, raporton Super Sport.

“E njoh paksa historinë shqiptare, e kam studiuar dhe është shumë e bukur. Bëhet fjalë për një popull që ka identitet dhe krenari. Mbi të gjitha më bënte përshtypje kur lexoja në libra se: “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”. Kjo të bën të kuptosh bashkimin e madh që ekziston, përtej diferencave, mes të cilave edhe fetare. Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë ndihen shqiptarë dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme”, deklaroi Buffon.