13:23 / E Enjte, 24 Shtator 2020 / indeksADMonline

Bullgaria dëbon dy diplomatë rusë, dyshoheshin për spiunim

Bullgaria ka dëbuar dy diplomatë rusë, të akuzuar për spiunim ushtarak dhe u ka kërkuar atyre që të largohen nga shteti brenda 72- orëve, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Bullgarisë, më 23 shtator.

“Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka shpallur dy diplomatë rusë ‘persona të padëshiruar’dhe ka informuar Ambasadën ruse përmes notës diplomatike”, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.

Prokurorët shtetërorë kanë nisur rastin kundër dy të dyshuarve, me kërkesë të Agjencisë Shtetërore për Siguri Kombëtare, e cila ka dyshuar se këta dy persona kanë mbledhur informacione sekrete shtetërore rreth planeve të Bullgarisë për modernizim të ushtrisë.

Diplomatët në fjalë nuk mund të ndiqen penalisht për shkak të imunitetit.

“Qëllimi i tyre ka qenë që të transferonin informacion të mbledhur, duke përfshirë sekrete shtetërore te inteligjenca ushtarake e Rusisë në Moskë”, kanë thënë prokurorët.

Ambasada ruse në Sofje ka thënë se nuk ka të dhëna për të arsyetuar “dënimin e paarsyeshëm” të këtyre diplomatëve.

“Pala ruse rezervon të drejtën e marrjes së masave të njëjta si kundërpërgjigje”, ka thënë ambasada përmes një deklarate në rrjetin social, Facebook.

“Ende nuk është ofruar ndonjë e dhënë, që vërteton se ata kanë qenë të përfshirë në aktivitete që nuk përkojnë me statusin e tyre”, është thënë midis tjerash në deklaratë.

Hetuesit bullgarë kanë thënë se spiunimi, që ka ndodhur prej vitit 2016 e deri tani, ka përfshirë edhe financimin, ashtu që të rekrutohen bullgarë, të cilët kanë qasje në informacione të ndjeshme.

Bullgaria është vend anëtar i NATO-s, me lidhje relativisht të mira me Rusinë, e cila e furnizon shtetin bullgar me energji.