15:28 / E Enjte, 19 Janar 2023 / shkelqim osmanaj

Bulliqi tregon gjendjen e Podujevës pas vërshimeve: Situata është e menaxhueshme, por me tendencë të përkeqësimit

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka dalë me një njoftim rreth situatës së krijuar në këtë komunë pas reshjeve të shumta të shiut.

Bulliqi ka bërë të ditur se zonat më të prekura janë Pakashticë, Kërpimeh, Letanc, Peran dhe Obrançë, po ashtu edhe disa rrugë janë përshkuar nga uji duke vështirësuar qarkullimin në komunikacion.

Përmes një postimi në Facebook, Bulliqi ka treguar se situata për momentin është e menaxhueshme por me tendencë të përkeqësimit për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut.

Më tutje, ai ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me ekipet emergjente institucionale në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë.

Postimi i plotë:

Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë bërë që disa zona në Komunën e Podujevës të përballen me vërshime. Si institucione lokale që nga mëngjesi jemi në teren duke intervenuar në zonat më të prekuara, ku momentalisht kemi 4 ekipe të të cilat janë duke intervenuar në këto zona.

Zonat më të prekuara janë; Pakashticë, Kërpimeh, Letanc, Peran dhe Obrançë, po ashtu edhe disa rrugë janë përshkuar nga uji duke vështirësuar qarkullimin në komunikacion. Situata është e menaxhueshme, por me tendencë të përkeqësimit për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut.

Apeloj tek të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me ekipet emergjente institucionale, në mënyrë që përmes koordinimit të përbashkët të tejkalohet sa më shpejtë kjo situatë. /IndeksOnline/