10:47 / E Martë, 06 Mars 2018

Bunjaki flet për trajnerin e ri, organizmi është i dobët!

Ish-trajneri i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki ka folur për herë të parë për trajnerin e ri. Federata e Futbollit të Kosovës para disa dite zyrtarizoi si trajner, Bernard Challandes – i cili nënshkroi kontratë katër vjeçare.

Bunjaki i cili udhëhoqi Kosovën për herë të parë në një kompeticion të rëndësishëm, siç është Kupa e Botës, u largua pas përfundimit të fazës së grupeve.

Në një intervistë për IndeksOnline, Bunjaki foli për trajnerin e ri dhe mundësitë e Kosovës në Ligën e Kombeve.

“Është mirë që u vendos një selektor i ri nga se koha e kualifikimeve veç po afrohet. Për të parën herë këtë vit po fillon Liga e Kombeve që realisht është mundësia më reale dhe më e mirë që Kosova do ta ketë. Duke filluar nga grupi si saj me Maltën, Ishujt Faroe dhe Azerbajxhanin, Kosova do ta ketë të lehtë. Pra është mundësia më e mirë që Kosova do ta ketë, dhe të gjithë e dinë kualitetin që ka ky ekip”, ka thënë Bunjaki.

Ai shpreson që Kosova të ndryshojë në aspektin organizativ, pasi kjo ishte një nga pengesat kryesore gjatë mandatit të tij.

“Unë shpresoj që gjërat duhet të ndryshojnë në aspektin organizativ që në fakt ka qenë pengesa jonë kryesore, duke filluar nga stadiumi për lojë, fusha për ushtrime, miqësoret dhe normalisht një trajner fizik, që ishte kërkesa ime që nga viti 2010”, shtoi ish-trajneri i Kosovës

Sa i përket trajnerit, Bernard Challandes, Albert Bunjaki ka këtë mendim:

“Është trajner në moshën që do të thotë se me vete ka një eksperiencë që sigurisht do t’i shërbejë lojtarëve dhe kombëtares. Kombëtarja është krijuar dhe kjo tash nuk mund të ndryshojë, por edhe identiteti i lojës që lidhet me shkathtësitë e lojtarëve që kemi pruar. Qëllimi im ishte që sa më parë të informojë FFK-n që unë nuk do të vazhdojë bashkëpunimin pas Botërorit dhe që FFK-ja të ketë kohë të mjaftueshme për ta zgjedhur trajnerin e ri. Organizimi i lojërave miqësore jashtë Kosovës tani që po bëhet është shumë me rëndësi për koordinimin e ekipes dhe rritjen e saj. Në fakt unë këtë mundësi nuk e kisha, dhe ishte një nga vështirësitë më të mëdha duke mos përmend edhe atë të fushës për lojë, ushtrime dhe problemin e dokumentacioneve. Gjithçka do të jetë shumë shumë më lehtë, por duhet të ngritemi në aspektin organizativ”.

Bunjaki pas largimit nga Kosova, kohën e lirë e ka shfrytëzuar me familjen e tij. Ai poashtu është duke shkruar një libër që ka të bëjë me aventurën në Kombëtaren e Kosovës. E, ardhmja e tij do të vendoset shumë shpejtë dhe pritet të jetë shumë e rëndësishme.

“E ardhmja: Po jam duke pritur një vendim shumë të rëndësishëm, që besoj të vije shumë shpejtë! Unë kam pas mundësi të lëviz edhe më herët, por për mu është me rëndësi të jetë një projekt afatgjatë dhe që unë besoj në të”, përfundoi kosovari.

Kombëtarja e Kosovës gjatë këtij muaji do t’i zhvillojë dy miqësore, me Madagaskarin dhe me Burkina Fason. Të dy ndeshjet zhvillohen në Francë./IndeksOnline/ G.T/