19:54 / E Diele, 04 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Burri e rrahu për 25 vite, gruaja nga Elbasani ka një mesazh prekës për të birin

Një histori e dhimbshme ajo e Hajries nga Elbasani e cila është dhunuar për 25 vite nga bashkëshorti i saj.

Gruaja ka humbur dy fëmijë binjakë dhe po rrit e vetme dy djemtë e saj ndërsa në rubrikën “Ka një mesazh për ty” kishte thirrur djalin e saj të vogël Ismailin.

Ajo ka treguar:

Pasi u martova fillimisht, shkuan gjërat shumë mirë. Pastaj “mollë sherri” në familjen time u bë një orë. Një orë që gjoja i humbi kunatës, por e gjitha ishte një histori e sajuar për të më shkaktuar probleme në familjen. E marrin orën e fshehin diku, unë nuk dija gjë fare… E bëri këtë sepse ajo donte që burri të merrte për grua dikë që ia kishte gjetur ajo një të afërmen e saj.. Ora u gjet pas 3 vitesh. E kishte sajuar ajo këtë vjedhje bashkë me njerëzit e saj. Por për mua kjo gjë solli vështirësi të mëdha. Bashkëshorti im për këtë shkak ushtronte dhunë ditë natë mbi mua. Dhuna filloi që në momentin e orës. Përdorte madje edhe rripin e pantallonave për të më rrahur. Nuk mundesha dot më ta duroja. Dhuna vazhdoi shumë, 25 vjet. Pas ca kohësh më lindën të dy binjakët. Por nuk zgjati shumë dhe më vdiq i pari. Më vdes në duar. Prapë pas 2-3 muajsh sëmuret edhe tjetri, vdes edhe tjetri. Në ato momente që vdes tjetri, u bë varrimi në drekë, mirëpo një grua e moshuar e lagjes, duke qenë se e dinte se unë isha njeri pa përkrahje dhe i vinte shumë keq për mua, dhe më pyet nëse janë larë rrobat e foshnjes që më kishte vdekur. I thashë që nuk di gjë. Atëherë po nuk pate njeri më tha, dërgoj unë vajzën time t’i lajë. Ndërkohë kunata po përgjonte pas murit. Pas varrimit vjen bashkë me të shoqin dhe më pyet për bisedën që pata me gruan e moshuar të lagjes. Në atë moment filloi sherri, kunata dhe kunati im më bënin me faj pa pushim. Në ato momente isha me temperaturë, sapo kisha humbur fëmijën tim, trishtimi ishte i madh. I kërkova burrit të blinim një makinë qepëse, pasi unë dija të qepja. Rrija deri vonë natën, punoja shumë. Nuk e përballoja dot se kisha edhe fëmijën. Dhuna vazhdonte përsëri.”

Hajria ka thirrur djalin e saj të vogël 13-vjeçar, në studio duke qenë se prej 4 vitesh ai nuk shkon në shkollë, për shkak të mundësive të pakta ekonomike që familja kishte pas shpërnguljes në Tiranë.

Ajo tregoi për të birin:

Unë shkova në çdo shkollë, asnjëra nuk ma pranoi. Donin të shihnin kontratën e shtëpisë, por unë një të tillë nuk e kisha. Burri nuk më mbështeste. Djali kishte shumë qejf të shkonte në shkollë, i vinte turp nga shokët. Ai kishte filluar duhanin, ikte kohë pa kohë nga shtëpia. Më shqetësonte shumë. Mendoja se do më ikte fëmija nga duart. Lili ti e di si të ka rritur mami ty. Dhe unë bëra një gabim që erdha në Tiranë, por e bëra për të ardhmen tënde. Por unë të premtoj që do bëj çdo gjë të mundur që ti të shkollohesh. Ti i di shumë mirë sakrificat e mia për juve. Kam ardhur vetëm për ty Ismail. Prandaj do më japësh fjalën që cigaren nuk do ta pish më, dhe do vazhdosh shkollën. Do t’i lësh të gjitha mbrapa sepse asgjë s’është më e rëndësishme se shkolla. Do bëj gjithçka për ty.”

Në fund adoleshenti i premtoi së ëmës se do ta lejë cigaren, ndërsa të dy u përqafuan fort.