10:42 / E Enjte, 05 Prill 2018 / indeksADMonline

Burri kuksian ‘godet’ me grusht Edi Ramën (Foto)

Protesta e ditës së shtunë në rrugën e Kombit kundër taksës për të kaluar në këtë rrugë, solli ndryshimin e axhendës të kryeministrit Edi Rama dhe të opozitës shqiptare.

E thirrur nga Këshilli Bashkiak i Kukësit, si dhe e mbështetur nga qindra banorë të kësaj zone, ata dolën për të protestuar kundër takës së vendosur nga qeveria, ku çdo kush që kalon duhet të paguajë nga 5 euro deri në 44 euro.

Por, mllefi i madh i kuksianëve ndaj kësaj takse, çka praktikisht e izolon këtë qytet, duke parë edhe parasysh papunësinë e madhe të këtij qyteti, bëri që ata të humbin durimin, dhe me një urrejtje të madhe u sulën ndaj kabinës, ku ishin vendosur makineritë, duke u vënë zjarrin.

Situata e rëndë që ndodhi në rrugën e Kombit, bëri që kryeministri Edi Rama të ndryshojë axhendën në Vlorë, duke u nisur menjëherë drejt Tiranës.

Teksa ai po vinte drejt kryeqytetit, lëshoi një deklaratë kërcënuese ndaj atyre që kishin protestuar, madje duke i ofenduar dhe cilësuar si vandalë.

Pas negocimit të qytetarëve me policinë dhe pasi kabina ishte në flakë dhe nxirrte tym, në një konferencë urgjente për mediat, doli Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili paralajmëroi atë që do të ndodhte më vonë, arrestimin e kuksianëve që kishin protestuar.

Dhe për të vënë në jetë urdhrin e tij, ministri Xhafaj suli drejt Kukësit qindra forca policie, ku në mesnatë dhe nën terror, arrestuan 23 kuksianë.

Ata u sollën të nesërmen në Tiranë, me justifikimin se Komisariati i Kukësit nuk kishte kapacitete për të mbajtur aq shumë të arrestuar.

Familjarët dhe shoqëria civile, të shqetësuar, nisën protestat para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke kërkuar lirimin e tyre.

Ndërsa, vetëm ditën e djeshme, ata dolën para gjykatës së Kukësit, që kishte marrë me qira ambiente e Gjykatës së Tiranës, për shkaqe sigurie.

Dhe nën masa të rrepta sigurie, gjykatësja vendosi që 11 nga kuksianët të qëndronin në burg, ndërsa 12 të liheshin të lirë.

Por, protesta e kuksianëve është një grusht ndaj Ramës, pasi ai më në fund pranoi se qeveria nuk kishte bërë aq sa duhet për të informuar ata për lehtësirat që do të kishin si banorë të Kukësit.

Kryeministri tha se për kuksianët do të ketë lehtësira, ndërsa nga qeveria është pranuar se po negociohet që të ketë më shumë lehtësira për ta.

Deri tani nuk janë shumë detaje lidhur me lehtësira, ndërsa nga ana e qeverisë është pranuar se brenda këtij muaji do të bëhet me dije edhe vendimet që do të merren për banorët e Kukësit.

Protesta e banorëve të Kukësit, mund të ilustrohet në mënyrë më të mirë nga një karikaturë e Bujar Kapexhiut, ku shfaqet një kuksian që godet kryeministrin Edi Rama.

Temat: