12:58 / E Enjte, 23 Janar 2020 / indeksADMonline

Bursat kriptografike, përballë rënies së volumit të tregtimit

Volumi i tregtimit të kriptomonedhave në muajt e fundit ka shënuar rënie të ndjeshme sipas një studimi të kryer nga CryptoCompare.

Gjatë dhjetorit janë tregtuar 432 miliardë dollarë në kriptomonedha nga bursat kryesore duke shënuar rënie me 26%.

Në fakt rënia ka qenë e vazhdueshme prej disa muajsh, sidomos në gjysmën e dytë të 2019-s.

Bursat të cilat mbajnë komisione u goditën ku vlera e transaksioneve të kryera ishte 319 miliardë dollarë. Edhe pse tregu në terësi humbi, disa fitues u shfaqën. Bitforexi ishte bursa kriptografike më e madhe për nga volumi në 35.64 miliardë dollarë në dhjetor.

IDEX-i ishte bursa e decentralizuar më e madhe e muajit dhjetor, duke tregtuar 8.02 milionë dollarë, një shifër e lartë krahasuar me bursat e centralizuara.

Edhe derivatet morën goditje. Grupi CME, i cili ofron derivatet më popullore tregtoi vetëm 3.96 miliardë dollarë në dhjetor, një rënie me 6% krahasuar me nëntorin.

Por në tregun e derivateve CryptoCompare tha se Binance është ylli në ngjitje që kur lëshoi kontratat futurës.