17:02 / E Martë, 23 Tetor 2018 / indeksADMonline

Busquets luan ndeshjen e 100 në garat evropiane

Sergio Busquets do të luajë këtë të mërkurë, kundër Interit, ndeshjen e tij të 100-të në garat europiane. Pep Guardiola ishte trajner i tij, kur mesfushori debutoi 10 vite më parë, në sezonin e tij të parë me ekipin e parë.

Busquets e luajti ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve më 22 tetor 2008, kundër Basel-it. Debutimi i tij në garën madhore europiane për klubet nuk mund të ishte më i mirë: fitore 5-0 dhe gol. Një debutim i ëndërruar nga çdo futbollist. Busquets ishte atëherë 20 vjeç.

Një dekadë më vonë, kapiteni i dytë i Barcelonës do të bëhet “një shekull” në ndeshjet europiane, në rang klubi. Nga 99 ndeshje, që ai ka luajtur deri më tani, 96 i përkasin Ligës së Kampionëve dhe 3 Superkupës Europiane. Gjatë 10 sezoneve në garat europiane, Sergio ka fituar 3 Champions dhe 3 Superkupa Europiane, pa humbur asnjë prej gjashtë finaleve.

Busquets, titullar i padiskutueshëm që nga shpërthimi i tij me trajner Guardiolën, ka qenë startues në 92 nga 99 lojrat, që ka luajtur në Europë me Barcelonën, duke u zëvendësuar vetëm në 17 ndeshje. Mesfushori katalanas ka grumbulluar 8084 minuta lojë në fushë, duke kontribuar edhe me 4 gola e 7 asiste.

Për momentin, Sergio Busquets është lojtari i tretë në skuadrën e tanishme të Barcelonës me më shumë paraqitje europiane, pas Gerard Piqué (104) dhe Leo Messi (131).