16:16 / E Enjte, 27 Shtator 2018 / indeksADMonline

Bytyqi në selinë qendrore të USAID në Uashigton, diskuton për depolitizim të sistemit arsimor

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqri Bytyqi ka qëndruar sot në selinë qendrore të USAID në Uashington.

Bytyqi thotë të ketë takuar atje Gretchen Birkle, zëvendës ndihmës-administratore për Evropë dhe Euro-Azi, të cilën e ka falënderuar për angazhimin e USAID-it në Kosovë në përkrahje të zhvillimit të vendit tonë me projekte, e në veçanti në sektorin e arsimit.

“Me ekipin e saj në këtë takim, znj. Gretchen Birkle shprehu interesim për reformat në sistemin arsimor në Kosovë dhe për vështirësitë e këtyre reformave, e rreth kësaj e informova për masat që janë duke u marrë në nivelin e arsimit parauniversitar dhe atë të lartë. Gjatë diskutimit për këto reforma, vëmendje e veçantë ju kushtua depolitizimit të sistemit arsimor, ndërsa u bisedua edhe për rolin e sistemit arsimor për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm, çështje kjo me të cilën MASHT është duke i marrë vazhdimisht”, ka shkruar ministri Bytyqi në profilin e tij  në Facebook.

Në takim, sipas tij, u bisedua edhe për projektet që USAID-i ka me MAShT-in dhe institucionet tjera arsimore dhe lidhur me të arriturat e këtyre projekteve.

Në fund të takimit, Birkle thuhet të ketë shprehur gatishmërinë për të vazhduar dhe zgjeruar bashkëpunimin mes USAID-it dhe MAShT-it.