12:12 / E Premte, 31 Gusht 2018

Bytyqi: Nuk ka arsye për grevë, s”do të pranojmë të dëmtohet procesi mësimor

Ani pse pritej që të ketë grevë të mësimdhënësve në Kosovë, ajo nuk do të mbahet dhe mësimi do të fillojë të hënën më datë 3 shtator. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thotë se nuk ka asnjë arsye për grevë dhe se nuk pranojnë të dëmtohet procesi mësimor.

Në një intervistë për KosovaPress, ministri Shyqyri Bytyqi ka fol për problemet në arsim, ndër të tjera edhe për sfidën e integrimit të shkollave me shumicë serbe në sistemit arsimor të Republikës së Kosovës.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kishte paralajmëruar grevë për këtë shtator nëse nuk aprovohet ligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, dhe nëse nuk ndryshohet projektligji për pagat e mësimdhënësve.

Por ditë më parë SBAShK njoftoi se mësimi do të fillojë më datë 3 shtator dhe se do të presin nga institucionet përgjegjëse të realizojnë kërkesat e tyre.

Për ministrin Shyqyri Bytyqi nuk ka asnjë arsye për grevë, dhe sipas tij problemet duhet zgjidhur duke u diskutuar në nivele zyrtare dhe pastaj të merren vendimet.

“Konsideroj që së pari nuk ka asnjë lloj arsye të ketë grevë, ndërprerje ose dëmtim të sistemit arsimor, ose dëmtim direkt të nxënësve, sepse të rinjtë tanë nuk kanë faj dhe nuk mundemi ne për qëllime të caktuara t’i dëmtojmë të rinjtë tanë. Arsyeja për të pasur grevë është zero, konsideroj që ne në asnjë mënyrë nuk do të pranojmë të ketë grevë ose të dëmtohet procesi mësimor sepse nuk ka asnjë lloj arsye për këtë”, thotë ai.

SBAShK kishte kërkuar që koeficienti i mësimdhënësve në shkollën fillore të jetë 2.5, kurse në shkollën e mesme 2.7. Shyqyri Bytyqi thotë se çështja e koeficientit dhe ajo e pagave janë shqetësim edhe për ministrinë, dhe se po bëjnë përpjekje që mësimdhënësve t’iu ofrojnë kushte sa të mira stimulimi.

“Asnjë mësimdhënës nuk do të ketë pagë më të ulët se ajo që e ka aktualisht, pa fol me shifra apo ndarje të koeficientit, nuk do të ketë pagë asnjë mësimdhënës më të ulët se sa e ka pas, a do të ketë koeficient më të lartë ajo çka ne jemi duke bërë përpjekje, ne konkretisht në diskutimin për projektligjin e pagave kemi dërguar komentet tona dhe kemi dhënë sugjerime dhe vërejtjet tona. Sugjerimet dhe vërejtjet tona kanë qenë shumë të arsyeshme dhe presim që të reflektojë edhe Ministria e Administratës, gjithsesi deri edhe në vendimin e Qeverisë”, thotë ai.

Ministri i Arsimit i ka thënë KosovaPress-it se janë gati të nisin vitin e ri shkollor të hënën, që është marrë vendimi për orarin e vItit shkollor 2018/19, dhe se janë në fazën përfundimtare të shpërndarjes së teksteve shkollore.

Ai pranon se problemet në sistemin arsimor në Kosovë janë të shumta, përfshirë këtu mungesën e objekteve shkollore fillimisht, pastaj atë të laboratorëve dhe mjeteve të tjera konkretizuese.

Shyqyri Bytyqi, derisa pranon se është në dijeni për problemet e shumta në sistemin arsimor në Kosovë, shton se është e pamundur që të njëjtat të zgjidhen në një afat të shkurtë kohor.

Sipas tij, gjendja do të fillojë të përmirësohet me fillimin e aplikimit të matjes së performancës. E kjo do të bëhet nga fillimi i këtij viti shkollor, ku synojnë që përmes matjes së përformancës së mësimdhënësve të rritet angazhimi i tyre dhe secili të jetë më i përgjegjshëm.

Megjithatë, një buxhet çfarë është i ndarë për Ministrinë e Arsimit nuk është i mjaftueshëm.

“Nëse do të arrijmë që të kemi një buxhet shumë të mirë se që e kemi tani, normalisht duke pas parasysh edhe problematikat që i ka buxheti i Kosovës, ne do të kemi mundësi shumë më lehtë t’i adresojmë problematikat qoftë edhe për laboratorë apo mjete tjera konkretizuese nëpër shkolla. Ajo çka ne aktualisht kemi pas mundësi, dhe e kemi bërë, i kemi futur në investimet strategjike që janë çështje që bëhen investime nga Bashkësia Evropiane për Ballkanin Perëndimor, ndër pikat kryesore kemi fut investimet për laboratorë dhe mjete konkretizuese të shkollave”, thotë ai.

Sfidë mbetët integrimi i serbëve në arsimin kosovarë, kur dihet se shumë shkolla me shumicë serbe, veçanërisht ato në pjesën veriore të vendit ku është refuzuar të punohet sipas sistemit arsimor të Republikës së Kosovës.

Ishte paraparë formimi i një komisioni në nivel nacional për të gjet zgjidhjen e këtij problemi që do të rezultonte me inkuadrimin e të gjitha shkollave në sistemin arsimor në Kosovë, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhë asnjëherë.

“Shumë shpejtë do ta dërgojmë kërkesën në Qeveri për të formuar një komision nacional, dhe pastaj ky komision ndërmerr hapa konkret drejt realizimit të kësaj problematike në mënyrë që të gjendet zgjidhje dhe çdo shkollë në Kosovë të punojë me sistemin arsimor të Kosovës. Nuk është e lehtë, ne i dimë problematikat, por nuk duhet t‘i ndalim përpjekjet për të realizuar edhe këtë çështje e cila është në kuadër të kompetencave dhe përpjekjeve që duhet të bëjë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, thotë ai.

Problem tjetër në arsimin në Kosovë janë tekstet jo të duhura.

E meqë është vërejtur se ka mungesë të teksteve të mirëfillta dhe në përputhshmëri me kurrikulën e re që zbatohet në territorin e Kosovës, Bytyqi thotë se kanë bërë shpalljen publike për tekste të reja.

Sipas tij, në fillim të shtatorit do të bëhet shpallja e dytë dhe deri në janar do ta kenë të gatshëm dorëzimin e dorëshkrimeve nga autorë dhe shtëpi botuese për tekste të reja.