11:23 / E Mërkurë, 11 Prill 2018 / indeksADMonline

Bytyqi: Nxënësit janë vetëdijësuar, presim rezultate të mira nga PISA

Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, ka qëndruar për vizitë në shkollën fillore “Ibrahim Fehmiu” në Prizren, në ditën kur po mbahet testi ndërkombëtar PISA.

Bashkë me të ishte edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, si dhe drejtori i arsimit në këtë komunë, Skënder Susuri.

Duke mos treguar për emrat e shkollave ku po mbahet ky test, ata bënë të ditur se testi sot do të mbahet vetëm në komunën e Prizrenit, dhe ka filluar në ora 11:00.

Ky testim do të zgjasë tri orë, dhe edhe në ditët në vazhdim do të vazhdojë në Prizren.

Sipas rregullave, nuk është i lejuar xhirimi e as zbulimi i lokacioneve se ku po mbahet testi PISA.

Ministri pret rezultatet shumë të mira nga PISA, ndërkaq u tha se janë bërë parapërgatitje të mjaftueshme dhe që janë vetëdijësuar nxënësit që ata me dijen e tyre e përfaqësojnë Kosovën në këtë test.