15:59 / E Shtunë, 07 Korrik 2018 / indeksADMonline

Bytyqi panelist në punëtorinë “Mbulimi mediatik i Arsimit të Lartë në Kosovë: Sfidat dhe mësimet”

Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka marrë pjesë në panelin e diskutimit me temën “Sfidat në Arsimin e Lartë në Kosovë dhe Shqipëri” në kuadër të punëtorisë “Mbulimi mediatik i Arsimit të Lartë në Kosovë: Sfidat dhe mësimet”.

“Bashkë me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla, akademikun dhe profesorin e nderuar, z. Artan Fuga, profesor Popovcin, ekspertë e profesorë tjerë dhe përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile që mbulojnë fushën e arsimit diskutuam për problemet aktuale dhe për sfidat që kemi në funksion të përmirësimit të gjendjes në Arsimin e Lartë në të dy vendet tona.

Gjatë këtij paneli, në mesin e temave për të cilat fola, ishte edhe zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë së AKA-së, që si proces tashmë është kthyer në një shembull që duhet ndjekur brenda dhe jashtë vendit. Ky proces tejet transparent i ka hapë një perspektivë AKA-së që të bëj një kontrollë sa më të mirë dhe të pavarur cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë.

Gjithsesi, duhet një bashkëpunim me gjithë akterët e mundshëm në mënyrë që gjendja në arsimin e lartë te përmirësohet.

Gjithashtu, fola edhe për sfidat qe kemi përpara, dhe ndër më kryesorët për ne është që te kthejmë qëllimin e Universiteteve dhe Kolegjeve, sepse aktualisht publikët janë fokusuar vetëm në tituj, programe të reja me qëllim të rritjes së normës për profesorët, ndërsa privatët e kanë vënë fokusin vetëm tek numri i fryrë i studentëve pa bërë një analizë me nevojat e tregut të punës. Fatkeqësisht, kjo na ka sjellë në një situatë kur kemi numër enorm të studentëve, numër enorm i të diplomuarve, numër enorm i kërkesave për punë dhe numër enorm i të pa punëve.

Ne duhet të angazhohemi që bashkë me institucionet përkatëse të vendosim numrin e studentëve që mund të pranohen për një vit në Universitete Publike dhe Kolegjet Private, gjithmonë në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

Po ashtu, gjatë këtij paneli kam folur edhe për profilizimin e universiteteve publike, ku raporti tashmë është në diskutim në qarqet qeveritare, e gjithashtu edhe për kuadrat e mirëfillta, dhe për mungesën e kuadrove në programet e rëndësishme në vendin tonë.

Po ashtu, fola për mundësitë që tashmë ka arsimi i lartë pas nënshkrimit të marrëveshjes Erasmus+, dhe pjesëmarrja në Horizon 2020, e gjithashtu shpreha vendosmërinë tonë që të bashkëpunojmë me të gjithë akterët në funksion të përmirësimit të gjendjes në arsimin e lartë.

Në fund të diskutimit tim falënderova BIRN-in dhe KFOS-in, për organizimin e kësaj punëtorie të përbashkët, që ishte një mundësi tejet e mirë të diskutohet për sfidat në Arsimin e Lartë në vendet tona”, ka njoftuar ai në Facebook.