19:34 / E Mërkurë, 11 Prill 2018 / indeksADMonline

Bytyqi: Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip 1990/99, lajm i mirë

Ministri i MAShT-it, Shyqiri Bytyqi ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për statusin e punërorëve të arsimit shqip nga viti 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.

Sipas Bytyqit, objektivi kryesor i Projektlogjit është njohja e sistemit arsimot të Kosovës gjatë viteve të `90-ta.

Ky është komenti i tij i plotë:

Lajm i mirë për të gjithë punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës që kontribuan nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.
Të dashur qytetarë,

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në bazë të legjislacionit në fuqi, me kohë kishte zhvilluar të gjitha procedurat e parapara për aprovimin e Projektligjit të Statusit të Punëtorëve të Arsimit Shqip të viteve 1990/99.

Objektivi kryesor i këtij Projektligji është njohja e sistemit arsimor të Republikës së Kosovës gjatë viteve të 90-ta, si dhe përcaktimi i statusit dhe njohja e stazhit të benificuar me përkrahje financiare përmes pensioneve dhe benificioneve të veçanta për kategoritë që ndërtuan sistemin e pavarur të arsimit shqiptar dhe organizuan mësimin në kushte të okupimit klasik prej vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.