08:32 / E Martë, 22 Dhjetor 2020 / Blerim

Cakaj: Kosova dhe Shqipëria do të rindërtojnë shkollën e vetme shqipe në Rozhajë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, përmes një postimi të bërë në FB ka njoftuar se do ta marrin përsipër rindërtimin e shkollës “Dacaj” në Rozhajë.

Ai ka treguar se kjo është shkolla fillore më e vjetër në Mal të Zi, dhe e vetmja në Rozhajë.

Një pjesë të shpenzimeve për këtë investim ka dhënë edhe Republika e Kosovës.

Ky është postimi i plotë:

Mirëmëngjesi

Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të shkollës ‘Dacaj’ në Rozhajë – e vetmja shkollë shqipe në atë vend – kemi vendosur të marrim përsipër një pjesë të rindërtimit të saj pas dëmeve madhore të shkakëtuara nga zjarri në muajin maj.

Kjo është shkolla fillore më e vjetër në Mal të Zi dhe shkolla e vetme fillore në Rozhajë. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur ta ruajmë e ta mbajmë të hapur këtë qendër domethënëse të arsimit shqip në Mal të Zi. Për këtë nuk do të kujdesemi vetem duke rindërtuar godinën, por edhe duke siguruar materialet e nevojshme arsimore për të gjithë nxënësit shqiptarë atje.

Përderisa një pjesë të shpenzimeve për rindërtimin e kësaj shkolle i ka dhënë Republika e Kosovës, pjesën e mbetur për rindërtim, rregullim e mbështetje të nxënësëve do ta mbulojë plotësisht Republika e Shqipërisë.