14:55 / E Premte, 10 Korrik 2020 / indeksADMonline

Cakaj: Suedia mbështetje teknike të pakushtëzuar për negociatat

Suedia ofron mbështetje teknike të pakushtëzuar për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Garancinë e mori ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj gjatë një takimi me homologen e Suedisë Ann Linde.

“Suedia vazhdon të jetë një përkrahëse e fuqishme e rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe marrëdhënia jonë politike e diplomatike është e një rëndësie të pazëvendësueshme.”– theksoi Cakaj në një postim në facebook lidhur me takimin e zhvilluar me homologen suedeze.

Gjithashtu, të dy ministrat u pajtuan për domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit në kuadër të OSBE-së dhe rëndësinë e marrjes së ulëses së anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga Shqipëria.

“Mbetemi skajshmërisht të përkushtuar për ta thelluar marrëdhënien me Suedinë.”- shprehu gatishmërinë Cakaj në përfundim të reagimit.