75 Mall Live Search
21:39 / E Enjte, 19 Mars 2026 / Z S

Caktohen gjysmëfinalistët e Final 4 në Ligën Unike të Meshkujve

Pas përfundimit të fazës së rregullt në Ligën Unike të Meshkujve, janë përcaktuar katër skuadrat që do të garojnë në Final 4.

Nga Grupi A, kualifikimin për në gjysmëfinale e kishin siguruar më herët Besëlidhja dhe Vëllaznimi, duke konfirmuar formën e tyre të mirë gjatë kësaj faze.

Ndërkohë, gara në Grupin B ishte jashtëzakonisht e fortë dhe e baraspeshuar, ku të katër skuadrat përfunduan me bilanc identik prej tri fitoreve dhe tri humbjeve.

Në bazë të Rregullores së Garave, nga ky grup tutje kaluan Peja dhe Golden Eagle Ylli, ndërsa Vllaznia dhe Apolonia mbetën jashtë garës për titull.

Në gjysmëfinale do të përballen Besëlidhja me Golden Eagle Yllin, derisa dueli tjetër do të jetë mes Pejës dhe Vëllaznimit, duke premtuar ndeshje mjaft interesante dhe rivalitet të madh për një vend në finale.

Final 4 i Ligës Unike të Meshkujve do të zhvillohet në mesjavën e ardhshme në Shqipëri, ku pritet të kulmojë një edicion shumë konkurrues i kësaj gare.