14:53 / E Hënë, 27 Maj 2024 / LB

Çeku: Anëtarësimi në NATO, më i rëndësishëm se ai në BE

Vendimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në atë të asocuar, ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, e ka quajtur lajm të mirë për vendin.

Në një prononcim për Radio Dukagjinin, teksa Çeku ka thënë se i është gëzuar këtij lajmi, ai ka komentuar edhe dështimin e përpjekjeve të vazhdueshme serbe për ta penguar këtë proces.

“Pa dyshim se është një lajm i mirë për Kosovën sepse Kosova gradualisht po e zë vendin e vet në organizatat ndërkombëtare aq më mirë këtë fakt e bën dështimi i përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë që ta pengojë avancimin e statusit të Kosovës. Kështu që Kosova gradualisht po hyn në NATO, në struktura të NATO-s edhe pse kjo është një organizatë, nuk është drejtpërdrejt e NATO-s, por është afër ku vendet mund ta shprehin qëndrimin e tyre… I jam gëzuar këtij lajmi”, ka thënë Çeku.

Më tej, Çeku ka thënë se hapi tjetër është anëtarësimi i plotë, duke shtuar se kjo thjesht Kosovën e fut në familjen e NATO-s dhe e lidh më shumë me këtë organizatë.

Po ashtu, Çeku ka vlerësuar se anëtarësimi në NATO ka peshë më të madhe se sa anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE).

“Normal ka peshë sepse aty diskutohen tema të ndryshme dhe tani Kosova mund ta ngrisë zërin e vet, të japë qëndrimin e vet, mendimin e vet dhe bëhet shumë shpejt pjesë e barabartë me të gjithë ata. Anëtarësimi në NATO është shumë më me peshë të madhe se sa anëtarësimi në BE. Kështu që duhet të fokusohemi më shumë në anëtarësimin në NATO, por edhe paralelisht edhe në anëtarësimin në BE. Anëtarësimi në NATO e garanton sovranitetin, përjetësinë e shtetit të Kosovës”, ka thënë Çeku.