Çfarë do t’i shërbejë Kosovës vlerësimi kreditor nga “Fitch Ratings”?
Ministri i Financave, Hekuran Murati, sot njoftoi se për herë të parë, Kosova bëhet me Vlerësim Kreditor nga Agjencia Ndërkombëtare për Vlerësim Kreditor, Fitch Ratings.
“Edhe një lajm tjetër i mirë për vendin nga Washington DC, ku po mbahen takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Për herë të parë në historinë e vendit, Kosova bëhet me Vlerësim Kreditor nga Agjencia Ndërkombëtare për Vlerësim Kreditor, Fitch Ratings. Falënderim i veçantë shkon për USAID Kosovo për mbështetjen e ofruar përgjatë këtij procesi” ka thënë Murati në njoftimin e tij.
Por, në çfarë do të ndikojë ky vlerësim kreditor?
Sipas Ministrisë së Financave, benefitet e këtij vlerësimi do të shërbejnë në disa mënyra.
Së pari, ky vlerësim do të jetë “pasaportë” e Kosovës për investitorët e huaj, për rritje të potencialit në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Vlerësimi kreditor parasheh të ulë edhe koston e financimit për biznese dhe rritjen e mundësive për qasje në financa.
Gjithashtu, shërben për vendosjen e vendit në hartën ndërkombëtare të shteteve serioze si dhe forcimin e subjektivitetit në arendën ndërkombëtare./Indeksonline/