14:57 / E Premte, 02 Mars 2018 / indeksADMonline

Çfarë i kishte shkruar Rexha organizatës së arsimit që përjashtoi Kosovën, pasi u shkarkua nga Haradinaj

Ish- kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha, i kishte nisur një letër organizatës ndërkombëtare ‘European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR), në muajin shtator, kohën kur kryeministri Haradinaj e shkarkoi atë dhe krejt bordin e kësaj agjencie. Ky shkarkim që ndodhi sapo Haradinaj erdhi në Qeveri, u arsyetua me parregullsitë dhe shkeljet e raportuara nga ana e këtij bordi.

Vetëm disa muaj më vonë, pas letrës së dërguar në po këtë organizatë, nga Blerim Rexha, Kosova përjashtohet nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë.

Shkarkimi i bordit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, që kishte bërë kryeministri Ramush Haradinaj menjëherë pasi kishte formuar qeverinë e tij, ka lënë pasoja për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

Në mungesë të bordit, vendi është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë të Arsimit të Lartë (EQAR). Por në drejtim të kësaj organizate, ishte nisur edhe një letër ku shpreheshin të gjitha pakënaqësitë e këtij vendimi të kryeministrit.

Blerim Rexha, i kishte paraqitur shqetësimet e tij dhe anëtarëve të shkarkuar, në një raport tre faqësh.

Ish kryetari i këtij bordi, në letër shkruan se fatkeqësisht, në mes të anëtarëve të agjencisë dhe kryeministrit apo edhe ministrit të Arsimit nuk kishte pasur konsultime paraprake. “Qartësisht, gjithë këto ne i dëgjuam përmes mediave”, shkruan Rexha.

Tutje, ai duke e komentuar vendimin e Haradinajt, thotë se e kupton rëndësinë që ka llogaridhënia publike drejtuar komuniteti akademikë, e shoqërisë, dhe se për këtë arsye ata janë të përgatitur që t’i japin të gjitha faktet për vendimet dhe arritjet.

Por megjithatë, Rexha duke e quajtur këtë vendim si arbitrar, thotë se është shumë ndryshe në ruajtjen e përgjegjësisë, por thekson se kjo është ngatërruar me nocionin shumë të çmuar të pavarësisë.

Sidoqoftë, organizata EQAR në raportin e saj ku flet për përjashtimin e Kosovës, konsideron se Agjencia Kosovare e Akreditim nuk funksionon më e pavarur, kësisoj nuk i përmbush standardet evropiane të agjencive të arkëtimit.

Si rezultat i kësaj, AKA përjashtohet nga një union i rëndësishëm i Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë.