22:26 / E Enjte, 10 Tetor 2019

Cfarë ndodhi me Partinë Demokratike të Kosovës

Shkruan: Genc Prelvukaj

Rënia, vetëm disa nga arsyet

Partia Demokratike e Kosovës, në zgjedhjet e tetorit, u gozhdua si asnjëherë më parë në procesin elektoral më të qetë dhe më të mirë përgjatë historisë së re të shtetit. Pavarësisht që humbja ishte paralajmëruar nga analizat dhe matjet në terren, pak kush e kishte besuar se mund të kishte një rënie të tillë, vecanarisht në disa pjesë të Republikës, ku krijohej përshtypja që ishin bastione të saj, kështjella që nuk gjendej top që tua rrënojë muret. Ajo mori pak mbi 21% të votavë, duke përfshirë edhe inercionin që të jep pozita qeverisëse, thjeshtë duke përfshirë  votuesin e paqëndrueshëm që lëviz sapo të bjerë partia nga pushteti. Një situatë si kjo të kujton kohën kur kishte përballë LDK-në e pushtetshme me Ibrahim Rugovën në krye të saj. Të kujton kohën kur Partia Demokratike e Kosovës, ishte parti e përkrahur seriozisht vetëm në Skenderaj, Drenas, Shtime dhe Kacanik. Të kujtohen kohët më të errëta të saj. Por cfarë ndikoi në rëniën e saj ?

1.Qëndrimi  i gjatë në pushtet

Qëndrimi në pushtet konsumon cdo parti. Është definicion i ngurtë. Megjithatë, pavarësisht që listohet si fakt, asgjë nuk fillon dhe mbaron me të. Është copëz e një tabloje të madhe, që ndërlidhet me rëniën elektorale të saj. Sidoqoftë analiza fillon nga kjo pikë. Partia me stazh të gjatë në qeverisje, nga jashtë duket si një organizëm i lodhur, i shterruar dhe që përsëritë vetën. Në logjikën e shteteve të zhvilluara, me demokraci të avancuar, rrallë, shumë rrallë, një parti merr mandat të katërt. Është në natyrën e një qytetari të vetëdijësuar politikisht të kërkojë ndryshim, pasi që një parti politike kalon shumë kohë në pushtet.

2. Prepotenca politike

Thyerja e Lidhjës Demokratike të Kosovës pas vdekjës së presidentit historik të saj dhe triumfi i thellë politik në zgjedhjet e vitit 2007 dhe 2011, eskaloi direkt në prepotencë në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës. Lideri i atëhershëm i partisë u mbështjell me mit, ndërsa në strukturën e saj u instalua bindja që nuk ka forcë politike konkuruese që i vihetpërballë partisë.  Autokritika ishte absurd sepse struktura besonte verbërisht në vendimet arbitrare të një njeriu të vetëm. Nga lartë sponzorizohej në masë shqetësuese mendimi mbi fuqinë absolute të partisë dhe pagabueshmërinë e lidershipit të saj. Kjo krijoi një rrethanë ku zërat opozitarë brenda partisë u shurdhuan dhe intelektualë e njerëz parimor hapën krahun. Ky ishte një terren mëse i përshtatshëm për tu shfaqur në kostume disa individë, të pazotë, të ashpër me logjikën e bajraktarëve mesjetarë, të cilët futën në dorë shumëcka brenda partisë dhe shtetit. Kjo gjendje prodhoi servilizmin dhe heshtjën. Prodhoi mbytjën e zërit kritik dhe mendimi brenda partisë morri një trajtë, një linjë. Prodhoi largimet e para të kuadrove që kishin besuar në fillim.

3. Menaxhimi i dobët i resurseve partiake

Ngritja në pushtet e Partisë Demokratikë të Kosovës, prodhoi fillimisht euforinë mbi mundësnë e një progresi politiko-ekonomik, atë që qyetari , pas clirimit e kishte vendosur në ballë të nevojave. Një numër i madh i personaliteteve me shumë cilësi ishin radhitur pas saj me kohë. Megjithatë përvec abuzimit për marketing politik para zgjedhjeve, këto resurse njerëzore nuk u konsultuan kurrë. Nuk u përdorën në sensin e mirë të fjalës . Në vend të tyre, u ngritën figura të forta lokale, që përvec aktivitetit pararendës luftarak, rrallë që patën ndonjë cilësi që i përgjigjej nevojave popullore për mirëqënie dhe zhvillim. Që nga fjalori publik e deri tek thellësia e mendimit ishin zhgënjim i plotë.  Partia Demokratike e Kosovës ktheu një logjikë të vjetër në kohë. Logjikën e qeverisjës së Ahmet Zogut i cili ndërtoi një pushtet bazuar në aleancën me bajraktarë fisesh, feudale e figura të forta rajonale që i bindeshin, duke përndjekur e larguar elementin pozitiv  dhe intelektual, aq të paktë që kishte Shqipëria atëherë. Ndoshta ka pasur një logjikë në atë kohë, por në kohët e reja është totalisht e pakumtimtë që dërgon një komunitet në destruksion. Sidoqoftë për të mos u kuptuar gabimisht, termi “përndjekje” këtu trajtohet simbolikisht dhe duhët të kuptohet vetëm me anashkalimin e figurave me shumë nivel nga radhët e saj..

4. Gjahu për votën e brendshme

Në kohë zgjedhjesh, është kristal e qartë, që njerëzit e kandiduar për mandat deputeti në radhët e Partisë Demokratike, janë orientuar pothuajse cdoherë drejt votës së brendshme, duke anashkaluar mundësinë e përfitimit të votës nga jashtë. Perjashtim bën vetëm koha kur Partia ishte në opozitë dhe kishte krijuar një front drejt zgjerimit elektoral. Me ardhjën në pushtet, janë kandiduar kryesisht njerëzit që kanë pasur ndikim në strukturat partiake dhe kanë qenë komod me këtë gjë. Me këtë logjikë, antarësia ka punuar për brenda dhe shumë rrallë ka dalur jashtë pragut partiak. Për këtë arsye në shumicën absolute të tubimeve poltike, sallat janë mbushur me antare dhe familjarë të tyre. Figura të reja, që merrnin pjesë për shkak të planprogramit, për shkak të interesimit mbi idete dhe konceptet e partisë, kanë munguar. Realisht orientimi mbi marrjën e votës së brendshme dhe mos organizimit për përfitimin e votës së jashtme ka sjellur një izolim të pashembullt politik. Partia Demokratike e Kosovës është mbyllur gradualisht duke humbur interesin për rritje të mëtëjshme. Angazhohej në terren komplet tjetër nga cduhej. Kandidatët dhe të fortit luftonin mes vete pa kompromis, deri në atë masë sa që harronin se cili është synimi i përgjithshëm elektoral. Po të kishin mundësi do të prehej secili nga secili në votë. Fushata dhe angazhimi kundrejt partive tjera, orientohej ndaj njëri tjetrit. Lufta ndërmjet llojit të njejtë ishte një prej dukurive me negative dhe më të përhapura brenda saj. Një ndër faktet më shqetësuese në këtë kontekst është që, edhe ateherë kur në liste zgjedhore figuronte ndonjë njeri me nivel, i përgaditur dhe që reflektonte në menyrë të shkëlqyer jashtë, me potencial për të sjellur votues të ri, ata luftoheshin brutalisht nga brenda, nga individë që përmes zhvatjëve, korrupsionit, premtimeve për punësim dhe një sërë deformimesh tjera morale, synonin votën. Në një ambient të tillë veshtirë rrijnë njerëzit.

5. Venitja e Rinisë Demokratike

Marrja e pushtetit, kënaqësia e radhitjës si parti e parë, solli mjegull të madhe edhe në një ndër faktorët kryesor të saj, Rininë Demokratike e cila po shpërfytyrohej cdo ditë. Aq i madh ishte kujdesi ndaj saj, saqe me vite të tëra nuk pati process zgjedhor dhe me këtë rast edhe kryetar legjitim. Listat e antarësisë së saj ishin të vjetruara, të pamodifikuara dhe të pafiltruara. Pas vitit 2010 strukturat e saj mezi mbaheshin në këmbë, nuk kishte as entuziazem dhe as ide të qarta për punë. Ato angazhoheshin vetëm  për tubime dhe marketing politik në kohë zgjedhjesh. Për vite të tëra ajo nuk thirri as punime dhe me këtë rast nuk u degjua dhe as kishte interes të dëgjohej nga lidershipi. Rinia e cila në nivel vendi përbën shumicën e popullsisë, per nje kohë bukur të gjatë, nuk kishte një moment kur kryetari i partisë, jashtë fushatave elektorale ulej me ta, degjonte idete dhe shtronte e përpuntonte problematika të caktuara që rinia kishte në nivel vendi. Mungonin organizimet e konferencave, seminareve, debateve deri tek opinionet publike që mund ti kishin botuar në secilin portal të mundshem. Rinia e lodhur dhe e pa motivuar më shumë u përdor nga figurat e fuqishme për sigurim votash nga brenda se sa për të lënë përshtypje ne shkallë popullore me crast do të përfitohej një brez i ri votuesish. Se sa ishte venitur struktura e saj, tregon edhe fakti që u dorezua totalisht përballë presionit të partive tjera duke filluar nga rrjetet sociale deri tek pjesmarrja në debate televizive ku figurat qëndrore griheshin me dhe nga kundershtarët politikë. Rinia Demokratike e Kosovës për një kohë, dukej si një ujk i plagosur, i rrudhur e i strukur nga frika. E përjashtuar disi nga vendimmarrja , e zhveshur nga ndikimi përbrenda partisë, ajo disi u kthye në një mekanizëm joatraktiv për rreshtimin e të rinjëve tjerë. Nga mesi i vitit 2018, me ardhjën e kryetarit të ri të saj, filloi një organizim dhe një lëvizje pozitive, një gjallëri e dukshme por tanimë plagët ishin të rënda dhe kullonin shumë.

6. Gabimet, skandalet dhe aferat korruptive

Republika e Kosovës nën drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës nuk ka dhënë një shembull të vetëm që di të ndëshkojë juridikisht një figurë të rëndësishme politike për shkak të shkeljeve ligjore apo aferave korruptve. Me këtë rast ka veshur petkun më naiv të mundshëm në politike. Në rrafshin ndërkombëtar edhe vende me zhvillim dhe demokraci të lartë sic janë Austria,Italia , Korea e Jugut etj, përgjatë dhjetëvjecarit të fundit kanë pasur raste të sanksionimit të individëve me pozicione të larta qeveritare mu për këto arsye. Republika e Kosovës jo. Ky është humor i pacipë.

Mungesa e veprimit juridik kundrejt  shumë individëve, për të cilën një popull i tërë dyshon në aktivitetet e jashtligjshme të tyre, ka krijuar një përcepsion të ngurtë publik, që Partia Demokratike e Kosovës, ose i mbron, ose është nënshtruar nga një komunitet i tillë ose vetë i nxit në aktivitete të atij lloji. Republika e Kosovës nuk është shtet me njëqind milionë banorë as me njëqind mijë kilometra katrorë që njerëzit mos njihen mes vete, Ata kur shohin një fqinj të tyre me librezë partiake që pasurohet mbrenda natës, normalisht që e supozojnë  punën e pistë të tij. Në rast që shteti nuk merr masa juridike ndaj  individëve të tillë, ata me të drejtë i mbyllin derën përfundimisht partisë në pushtet. Është e pashpjegueshme se si lidershipi partiak duke parë këtë fenomen, ka menduar se mund ta ketë gjatë në krye të vendit. Partia Demokratike e Kosovës ka gabuar në këtë rrafsh. Është sekret publik që shumë individë nga gjiri i saj kanë abuzuar me pushtetin, që mos ti numëroj konkretisht se janë shumë si veprimtari të cdo lloji. Realisht, thellë thellë, ata kurrë nuk kanë qenë ideologjikisht me partinë, sepse ndryshe nuk do ti kishin bërë të gjitha këto, por kur partia, duke qenë në pushtet, nuk i ndëshkoi, nuk i denoncoi publikisht dhe nuk i hodhi prapa grilëave atëherë me mosveprim u identifikua me ta. Lidershipi partiak kurrë nuk e kuptoi që përndjekja e tyre juridike do ti sillte simpati në popull dhe jo regres elektoral.

Skandali i përgjimeve të disa figurave kyce brenda saj, poashtu kurrë nuk gjeti ndonjë reaksion, ndonjë denim, apo qoftë edhe ndonjë kritikë publike. Pak ka rëndësi se cfarë është diskutuar brenda kryesisë së saj, rëndësi ka ajo cfarë është përcjellur në publik. Në masë u krijua një përshtypje që ky problem u anashkalua dhe është e vërtetë që partia nuk tha shumë. Realisht nuk tëjkalohet një sfidë e tillë, vetëm me moskandidimin e tyre në zgjedhjet e radhës. Kjo gjë nuk e pastron një organizatë poltike dhe as ndikon për të mirë tek votuesit. Lehtë është të thuhet “rasti duhet të trajtohet nga organet e drejtësisë” dhe po ai rast mos të avancojë kurrë nga gjykatat përkatëse. Nëse në rastin e parë gabimi është individual, mos efikasiteti i sistemit të drejtësisë është faj kolektiv sepse nuk ka amnisti përderisa je në pushtet.

7. Etja e pakuptimtë për pushtet

Qëndrimi në pushtet me cdo kusht, është një ndër gabimet më të mëdha të saj. Cfarë kishte nevojë Partia Demokratike e Kosovës, të ishte në qeverinë e shkuar ? Cfarë kishte nevojë për PAN-in?. Pse të ishte pjesë e një qeverie totalisht të panatyrshme sa i përket planprogramit politik, një qeverie ku partia më e madhe e koalicionit fal pozitën e kryeministrit, një qeverie të shkapërderdhur që në fillim e cila skandalizohet që në start me numër ministrash e zëvëndësministrash ?  Cfarë kishte nevojë si parti e madhe të përgjysmonte listën e saj konkuruese në zgjedhje dhe ti linte jashtë shumë figura të saj të rëndësishme ose premtuese për ti bërë vend po në këtë listë aleatëve të koalicionit ? Të gjitha këto krijuan një përcepsion publik që Partia Demokratike e Kosovës e do paturpësisht pushtetin dhe fal edhe dinjitetin e saj për një grimë hise në qeverisjën e vendit. Këtë gjë populli di ta denojë shumë lehtë, sic e bëri më pas. Të kuptuarit se rënia në opozitë është katastrofë politike është një ndër gabimet më të mëdha të Partisë Demokratike. Rënia në opozitë jo që është negativitet për një parti politike por një zhvillim normal që ndihmon më pas për riorganizim, reformë dhe planifikim ideor. Në fakt asnjë nga këto nuk bëhën kur je në pushtet andaj pas disa mandateve në krye të vendit, rënia në opozitë në një formë mund të konsiderohet si nevojë, gjithsesi nëse një parti është dizajnuar të jetojë gjatë.

8 Reformat e supozuara

Partia Demokratike e Kosovës në formën që është sot, është parti  statike që nuk ka lëvizur nga vendi. Rokadat, dhe transferimet  pa sens nënkuptojnë gjithcka tjetër vecse jo reformë.  Figurat e konsumuara politikisht ka një kohë që kanë filluar vendosjën e surrogatëve të tyre. Është e njejta logjikë e mendimit dhe e njejta trajtë. Nuk mund të kuptohet si ndryshim, inkuadrimi në listën zgjedhore të dy tre përsonaliteteve kulturore apo sportive. Mosha e re në listat e saj nuk përben ndonjë ndryshim të madh kur mënyra e ardhjës në listë është e vjetër. Është po ajo metodë konservatore që ka lëkundur themelet e partisë me herët. Metoda në bazë të cilës avancohesh vetëm në rast se të punon kimia me liderin e partisë ose ndonjë figurë të rëndësishme brenda.  Nuk ka shumë lidhje refleksioni që një individ mund ta ketë jashtë komunitetit.

Ndoshta hapi i parë drejt një reforme të mirëfilltë përbrenda Partisë Demokratike të Kosovës, do të ishte ulja e dozës së servilizmit dhe nenshtrimit. Bashkë me këtë është edhe nxitja e mendimit të kundërt sa më parë që të jetë e mundur.

9. Nënvlerësimi i Prishtinës

Lidershipi i Partisë Demokratike që nga themelimi disi është dorëzuar nga lufta për Prishtinën, thjeshtë nuk ka besuar në rritje dhe fitore aty. Përjashtim bëjnë vetëm zgjedhjet e vitit 2007 ku flirtoi më një fitore, për shkak të euforisë së përgjithshme që u krijua në atë kohë, pasiqë pritej fitorja e saj në nivel vendi. Që nga atëherë është trajtuar me një dozë serioziteti sikur të ishte ndonjë fshat i vogël dhe jo kryeqyteti i Republikës. Është e pakuptimtë se si niveli drejtues, nuk e ka trajtuar ndryshe gjatë gjithë kohës. Prishtina është udhërrëfim për rajonet, krahinat dhe qytetet tjera përbrenda vendit. Si mund të pretendohet stabiliteti elektoral në kontinuitet kur në njërën anë je në pushtet në nivel qëndror dhe në Prishtinë je rregullisht parti e tretë. Herët apo vonë, kjo gjë reflekton nëpër komunat tjera. Për cdo gjë provinca udhërrëfim e ka qytetin e parë. Herët apo vonë ndikohet nga ajo.

Investimi në degën e Prishtinës, nga niveli qëndror ka qenë i vobektë. Per shumë vite, dega e Prishtinës nuk ka pasur as zyrë të vetën. Kanë pasur edhe komunat e vogla ndërsa struktura e Prishtinës nuk kishin kishte kulm mbi kokë. Here pas here shfrytezohej qendra e pergjithshme, por qytetari nuk drejtohet ne zyret e nivelit të pergjithshëm të partisë për gjera lokale. Nga e gjithë kjo , perjashtim bënte vetëm periudha e fushatave elektorale ku merrej ndonjë ambient për një muaj apo dy. Mos të flasim për nëndegët edhe pse secila lagje e saj ka më shumë banorë dhe me këtë rast edhe votues potencial se sa shumë qytete. Prishtina jo që duhej të kishte zyrën e saj qëndrore të degës, por edhe ambiente për nëndegët e saj në zona shumë të populluara urbane.

Kryesia e degës së Prishtinës pothuajse nuk pyetej për asgjë. Kandidatët për zgjedhje lokale silleshin edhe nga qytetet tjera dhe ky është paradoks i madh. Kundërshtimi nuk bëntë punë dhe argumenti i vetëm spjegues ishte “ e di shefi më mirë” dhe kjo ndërlidhet menjëherë me pikën e dytë brenda kësaj analize, kur flitet mbi prepotencën politike dhe shtypjën e mendimit të kundërt. Mirë, atëherë pse ekzistonte dega ?  Për të ekzistuar formalisht ? Edhe ata njerëz që inkuadroheshin dhe viheshin në pozita të rëndesishme publike nuk kalonin përmes degës. E kuptueshme ndonjë rast i vecantë sepse rruga për ta afruar ndonjë përsonalitet të madh nuk mund të shkojë nga nëndega, por jo të kthehej në praktikë të përgjithshme sic u krijua. Te gjitha këto ulin rënëdësinë e degës, strukturat e saj thyhen dhe ulet motivi i tyre për punë. Kur instancat e larta të partisë të konsiderojnë të parëndësishëm e stë pyesin për gjerat elementare, pse qytetari të trajtojë si të rëndësishëm e të merret me degën që ska pasur as zyrë të vetën ?

10. Braktisja e kolorit nacional

Partia Demokratike është ngritur mbi themelet e patriotizmit. Është formacion politik që derivon nga lufta. Megjithatë me ardhjën në pushtet ky kolorit është venitur skajshmërisht. Janë braktisur teoritë mbi të cilat shumë njerëz janë rreshtuar me të. Nuk është respektim i vlerave të luftës punësimi i ushtarëve në pozicione jashtë fushës së tyre, apo dhënia e jashtigjshme e ndonjë tenderi tek rrethi i  tyre. Në fakt kjo i ka dëmtuar ata për shkak se veprimtaria shumë e vlefshme e tyre në luftë zhvlerësohet me këtë gjë. Në fakt e kanë demtuar Republikën. Për të mos lenduar ndjenja më shumë mjafton kaq, por thelbi është ky.

Përgjatë punës në kuvend,kohë më parë, figura qëndrore e  Partisë Demokratike të Kosovës, i drejtohet Albin Kurtit me fjalët “ shko e mbroje flamurin në Vladimir”. Deklaratë më të gabuar dhe se kjo nuk mund të gjendet. Fillimisht është Katërkollë dhe jo Vlladimir. Është njëjtë si ti thuash dikujt shko në Urosevac dhe jo Ferizaj, shko në Srbicë dhe jo në Skenderaj. Por kjo nuk është gjë. Të përjashtohet një shqiptar i Malit të Zi, i lindur e i rritur në Kosovë, nga jeta politike dhe angazhimi publik për shkak të prejardhjës jashtë kufinjëve, është absurd total. Ketu nuk janë prekur vetëm Shqiptarët e Malit të Zi që kanë dhënë gjithcka për shkencën dhe kulturën e më pas edhe për luftën, por janë ndjerë keq edhe shqiptarët nga Presheva, nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, sepse kanë realitet të njejtë në Kosovë.  Kjo deklaratë nuk është përbirë lehtë dhe përmendet edhe sot nga shqiptarët jashtë kufirit.

Ata që janë rreshtuar në filim me Partinë Demokratike të Kosovës, kanë pritur poashtu një vullkan të madh, një luftë të pakompromis, reaksionet më të ashpra, nga figurat qëndrore të saj me rastin e abuzimit të listës me veteranë. Serish një kritikë e lehtë, përgjigje e ftohtë teknike, pa emocion të theksuar nga ta. Kjo nuk përkon aspak me themelet e Partisë mbitë cilat është formuar.

Etj.

11. Shkëputja dhe mospërfillja e diasporës

Emigracioni i shqiptarëve të Kosovës, është mekanizmi kryesor që mban ekonominë e mijëra shtëpive brenda vendit. Ndikimi i tyre është shumë i lartë. Ky fakt është anashkaluar dhe shumë pak është bërë në afrimin e tyre, shumë pak është bërë në informimin apo edhe organizimin e tyre. Një numër i madh i antarëve të Partisë Demokratike të Kosovës kanë jetuar atje, kanë zhvilluar aktivitet të rregullt politik dhe kanë organizuar celulat e para të rezistencës . Është dëshpëruese humbja e interest për shqiptarët jashtë vendit ku në fakt cdo gjë ka nisur pikërisht në ato vende. Në zgjedhjet e fundit, shihej një mobilizim masiv nga partitë e tjera për të sjellur votuesin në shtepi, rrjetet sociale mbyteshin me fotografi të grupeve që ishin nisur nga katër anët e botës për ti përkrahur. Asnjë fotografi nga njerëz me ëmbleme apo ngjyra të Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo tregon që mbështetja për partinë andej është në nivel minimal. Sepse nuk është bërë asgjë në atë drejtim. Është për të ardhur keq, se kjo ceshtje, fuqia dhe ndikimi i diasporës është kuptuar si gjë e parëndësishme. E “rendësishme” mbrenda figurave udheheqëse të saj ka qenë lufta e tmerrshme ndaj njëri tjetrit në zgjedhje.

Për në fund

Partia Demokratike e Kosovës, brenda vetës ka ende njerëz të zotë, të drejtë dhe patriotë me plot kuptimin e fjalës. Me një reformë rrënjësore, duke marrë për bazë të gjitha këto më lart, duke nxjerrë në sipërfaqe elementin e mire, duke korrektuar shumcka brenda saj, duke ndëshkuar profitere e zhvatës, të korruptuar e servilë, brenda një periudhe të caktuar  mund të kthejë gjendjën në favor. Duhet kohë por më një vullnët dhe plan të qartë,mundësitë cdoherë janë reale. Partia Demokratike e Kosovës kthehet e fuqishme vetëm atëherë kur të pranojë gabimet e veta, kur ti ketë të qarta veprimet që pothuajse e rrënuan, kur të krijojë një ambient të lirë, të pranojë mendimet e kundërta dhe mbi të gjitha të forcojë parimet ideologjike. Ta deinstalojë si logjikë afrimin dhe fuqizimin e njerëzve përmes interesit ekonomik që jo rrallë ka ndodhur në të kaluarën. Ta deinstalojë njëherë e mire dukurinë e nënshtrimit dhe servizilizmit. Të krijojë domein për fjalë të lirë, kritikë dhe mendim ndryshe.

Nga unë, nga një njeri që kurrë nuk e tha fjalën “shef’, sepse për një parti “shef” duhet të jetë populli dhe interesi I tij.

Genc Prelvukaj

( ish-antar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish – nënkryetar i Degës së Prishtinës )