19:08 / E Shtunë, 17 Mars 2018 / indeksADMonline

Çfarë po ndodh me lëndët e korrupsionit që janë kusht për heqjen e vizave

Një nga kushtet për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian, përveç demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, është luftimi i korrupsionit. Si parakusht për këtë sistemi gjyqësor në vend ka të shënjestruar 37 raste të korrupsionit të cilat përkundër faktit se janë lëndë me prioritet, ende nuk dihet se kur do të përfundojnë.

Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë” nga këto 37 lëndë të shënjestruara, katër janë ende nën hetime. ndërsa 29 akuza janë të paraqitura në databazën e lëndëve të shënjestruara.

Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, në intervistën e tij dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë” nuk ka qenë në gjendje të tregojë se kur do i përfundojnë lëndët që janë vënë parakusht për liberalizimin e vizave.

“Në databazë janë 37 lëndë të shënjestruara, dhjetë prej këtyre rasteve kanë përfunduar me aktgjykime të formës së prerë. Ka dënime me burg, ka dënime me kusht, me të holla, por ka edhe aktgjykime liruese. Sipas shënimeve të fundit dhe rifreskimeve të fundit të këtyre rasteve, kem vërejtur se të gjitha rastet kanë hyrë në punë. Dhe si kryetar i gjykatës nuk mundem me u përzier në kuptimin e asaj se si kanë me u vendos  varësisht prej provave dhe prej rasteve”, ka thënë Peci.

Sipas tij, komisioni përkatës i caktuar për monitorimin e rasteve të shënjestruara janë duke bërë punën e tyre dhe gjyqtarët e kanë të qartë se në lëndët e shënjestruara duhet të intervenojnë sa më shpejt që e kanë të mundur.

“Janë raste të shënjestruara me emra të caktuar të veprave penale, apo të rastit. Në bazë të asaj çfarë kam parë në databazë, edhe komisioni që janë duke punuar e kanë marrë shumë seriozisht me një konstatim që në vazhdimësi ne si kryetarë të gjykatave, si asamble e kryetarëve të gjykatave së bashku me Këshillim Gjyqësor jemi duke i bërë disa analiza se ku duhet me intervenuar më shpejt. Dhjetë raste janë kryer, gjyqësori nuk mundet të punojë me automatizëm në kuptimin e procedimit të rasteve.  Tek lëndët e shënjestruara komisioni është në vazhdimësi duke shikuar rast për rast për të parë nëse ka lëshime eventuale të gjyqtarëve. Dhe gjyqtarëve u janë dhënë qëndrime të prera nga komisioni se te rastet e shënjestruara duhet të veprohet me urgjencë. Por nganjëherë urgjenca varet edhe nga shumë procedura tjera”, ka thënë kryetari i Supremes.

Lidhur me rastet kur gjyqtari heqë dorë nga lënda në fazën përfundimtare të saj, një veprim ky që e kthen lëndën nga fillim. kryetari Peci, ka thënë se kjo në të ardhmen nuk do të duhej të ndodhte.

“Duhet me përdor mekanizmin ligjor në disa raste dhe me e marrë një qëndrim. Për arsye se edhe gjyqtari nëse shkon në nivel më të lartë me e obliguar që nëse e ka filluar një rast me e përfunduar. Kjo për shkak se ligjërisht mundet gjyqtari i nivelit më të lartë të gjykojë edhe në rastin më të ulët. Meqë kam qenë një kohë udhëheqës në Këshillin Gjyqësor ndoshta do të sugjeroja që këshilli t`i përdorë mekanizmat ligjorë në kuptimin që në të ardhmen nëse bëhet një lëvizje e tillë e gjyqtarëve, me i obliguar gjyqtarët që rastet që janë të ndjeshme, apo që kanë ardhur para përfundimit me i përfunduar, pasi ka mundësi ligjore që ai gjyqtar edhe më tutje me vazhduar aty”, ka deklaruar i pari i Gjykatës Supreme Enver Peci.